Partia Demokratike dhe aleatët e saj opozitarë do të zbresin sërish sot në mbrëmje në protestën e radhës kombëtare përpara Kryeministrisë.
Ashtu edhe si herët e tjera mbështetësit e opozitës do të grumbullohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por nuk bëhet me dije se si do të vijojë protesta pasi drejtuesit e opozitës kanë qenë hermetikë për të zbuluar skenarin e saj.
Opozita do të kërkojë në këtë protestë sërish largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhjet e reja.
“Të dashur demokratë, Edi Rama është izoluar ndërkombëtarisht. Në përplasje me drejtësinë. Rezistenca jonë nuk ndalet deri në largimin e tij, deri në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Detyra jonë, është ta rrëzojmë. E diel, Ora 18.00 – Në Bulevard”, thuhet në mesazhin drejtuar strukturave e PD-së.
Policia e Shtetit ka marrë masa të forta për mbarëvajtjen e kësaj proteste, kjo edhe për shkak të incidenteve që janë shënuar në grumbullimet e fundit të opozitës ku janë lëshuar koktejle molotovi dhe sende të forta drejt Kryeministrisë, por edhe Parlamentit.
Edhe ambasada e SHBA ka nxjerrë thirrjen e përhershme drejtuar qytetarëve të saj që të shmangin zonat ku do të mbahet protesta ditën e sotme, si dhe të ndjekin mediat lokale për informacionet e mëtejshme.
Kujtojmë se në protestën e kaluar nuk pati fjalime politike, as podium të ngritur në boulevard, por një marshim në disa pika kryesore, si Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Parlamenti apo selia e PS, i cili zgjati për tre orë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)