Policia gati për protestën e PD, rrugët që do bllokohen, apeli për pjesëmarrësit

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për protestën e radhës së opozitës që do të mbahet pasditen e sotme në sheshin përpara Kryeministrisë.

22.03.2026. 10:43

Policia gati për protestën e PD, rrugët që do bllokohen, apeli për pjesëmarrësit

Policia e Shtetit njofton se ka bërë gati përgatitjet e nevojshme për protestën e radhës së opozitës që do të zhvillohet këtë të dielë në sheshin përpara kryeministrisë.

Në një njoftim për mediat por edhe për qytetarët, policia bën me dije se për shkak të protestës do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse të kryeqytetit, teksa fton pjesëmarrësit që të distancohen nga aktet e dhunshme.

Opozita rikthehet këtë të dielë në shesh për të kërkuar edhe njëherë largimin e qeverisë së Edi Ramës, dhe krijimin e një kabineti teknik që do ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

Kujtojmë se në protestat e fundit të këtij lloji të opozitës ka pasur momente dhune, ku janë lëshuar mjete piroteknike dhe molotovë ndaj kryeministrisë dhe parlamentit, teksa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.

Njoftimi i policisë

Në bazë dhe në zbatim të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik në tubimin që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 18:00, përpara Kryeministrisë.

Në këtë kuadër, do të ketë kufizime të lëvizjes në disa akse rrugore. Konkretisht:

-Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”;

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)