Partia Demokratike e ka marrë shumë seriozisht paralajmërimin e dhënë dje nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për rrezik të mundshëm sulmesh nga elementë të lidhur me Iranin.
Pasi kërkuan mbledhjen e Këshillit të Sigurisë përmes depudtetëve në sallën e Kuvendit, demokratët bënë thirrje edhe për reagim nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.
Vetë Sali Berisha nga Shkodra i bëri thirrje NATO-s që të forcojë mbrojtjen ajrore të Shqipërisë duke theksuar se alarmi i Ambasadës Amerikane duhet marrë seriozisht dhe nuk është i pabazë. Ai shtoi se situata lidhet me marrëdhëniet e tensionuara mes Shqipërisë dhe Iranit, duke nënvizuar se kjo është një çështje e njohur.
“Paralajmërimi i ambasadës së SHBA nuk është pa bazë! I bëj thirrje NATO-s të forcojë mbrojtjen ajrore të Shqipërisë. Thirrja që lëshon ambasada amerikane një muaj pas luftës në Gji, absolutisht nuk është pa substrat. Nuk është pa substrat, nuk mund të jetë ajo. A është Shqipëria në një armiqësi me Iranin, kjo nuk diskutohet, nuk fshihet”, u shpreh Berisha.
Berisha kërkoi që Aleanca Atlantike të garantojë mbrojtjen kundërajrore të vendit, duke e krahasuar me mbështetjen që, sipas tij, NATO u jep vendeve të tjera anëtare.
“Unë i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, ashtu siç po mbron Turqinë, të na garantojë mbrojtjen kundërajrore nga aktet e tyre.”
Sa i përket sigurisë brenda vendit, ai theksoi rolin e institucioneve shqiptare. “Kurse për aktet e brendshme, duhet që forcat e rendit të garantojnë rendin dhe qetësinë. Këtu është gjëja më e domosdoshme.”
Berisha u ndal edhe te reagimet politike në vend, duke kritikuar krahasimet që mazhoranca u ka bërë sulmeve iraniane me protestat e opozitës.
“Por të krahasosh ato me protestat e opozitës, je i sëmurë, ke psikologjinë e Ajatollahëve. Dhe unë u them turp të kenë që nxjerrin një vlerësim të atillë. Nuk lëshohet një paralajmërim pa një bazë. Kjo është e sigurt”, nënvizoi Berisha.
Në fund, kreu i selisë blu u shpreh i bindur se Shqipëria gëzon mbrojtjen e NATO-s në hapësirën ajrore, por theksoi se përgjegjësia për sigurinë në terren mbetet tek institucionet vendase.
“A ka Shqipëria mbrojtje nga NATO? Po, çdo vend i NATO-s, hapësira ajrore e Shqipërisë është hapësirë e NATO-s dhe të sigurt jemi se NATO do na mbrojë. Kjo nuk do thotë se NATO do na mbrojë në tokë, këtu duhet të jenë shqiptarët vetë që të kenë vëmendje”, përmbylli ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)