Kryeministri paralajmëron skemë të re pensionesh, çfarë parashikon ajo?

Sipas Ramës, kjo reformë synon forcimin gradual të sistemit të pensioneve dhe krijimin e një marrëdhënieje më të qëndrueshme dhe afatgjatë mes punonjësve dhe punëdhënësve.

08.04.2026. 20:12

Kryeministri paralajmëron skemë të re pensionesh, çfarë parashikon ajo?

Gjatë një vizite në një kompleks industrial në zonën e Durrësit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se qeveria po përgatitet për një skemë të re pensionesh.

Sipas tij, skema e re synon të plotësojë sistemin aktual dhe jo ta zëvendësojë atë, duke shpjeguar se iniciativa e re do t’u japë mundësi punonjësve të rrisin kursimet për të ardhmen, përmes kontributeve vullnetare nga paga mujore në një fond të posaçëm pensioni.

Rama theksoi se çdo kontribut i individit do të mbështetet nga shteti me të njëjtën shumë, duke dyfishuar automatikisht kursimin.

Sipas Ramës, kjo reformë synon forcimin gradual të sistemit të pensioneve dhe krijimin e një marrëdhënieje më të qëndrueshme dhe afatgjatë mes punonjësve dhe punëdhënësve, duke garantuar më shumë siguri financiare për të ardhmen.

“Jemi duke përgatitur një skemë të re të pensioneve, që nuk do ta zëvendësojë, por do ta pasurojë skemën aktuale, duke u dhënë mundësinë të gjithë punonjësve që duan të kursejnë më shumë për pensionin, që të vendosin në një fond të veçantë çfarëdolloj përqindjeje nga paga, të cilën shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë.

Pra, nëse dikush vendos të nxjerrë nga paga një euro për ta vendosur çdo muaj në fondin e vet të pensionit, që pastaj t’i shtohet në fund pensionit që do marrë nga skema normale, shteti do të vendosë një euro tjetër dhe kështu do bëhen dy euro dhe, natyrisht, kjo do të jetë e kombinuar: shteti për punonjësit e shtetit, privati për punonjësit e vet dhe kjo do të bëjë që fondi i pensioneve të fillojë pak nga pak të marrë formë dhe të jetë një fond që garanton qoftë ata që investojnë te fondi, por garanton edhe lidhjen mes privatit dhe punonjësit në një periudhë afatgjatë”, tha ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)