Nafta në 220 lekë/litër, Braçe kritika qeverisë dhe Bordit, propozon punë nga shtëpia

Fakti që ndryshimet në bursë nuk interepretohen njësoj në stacionet e karburantit në vend, është një problem që deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, e ka adresuar në një postim me tone kritike në Facebook.

08.04.2026. 18:19

Nafta në 220 lekë/litër, Braçe kritika qeverisë dhe Bordit, propozon punë nga shtëpia

Bordi i Transparencës vendosi sot të ulë me 4 lekë çmimin e naftës, duke e çuar atë në 220 lekë për litër, dhe të lërë të pandryshuar benzinën, edhe pse armëpushimi dy javor mes SHBA dhe Iranit qetësoi tregjet dhe uli ndjeshëm çmimin e karburanteve në bursë.

Fakti që ndryshimet në bursë nuk interepretohen njësoj në stacionet e karburantit në vend, është një problem që deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, e ka adresuar në një postim me tone kritike në Facebook.

Ai thotë se vendimi i Bordit ishte i pritshëm në kushtet e armëpushimit në Lindjen e Mesme.

“Bordi uli çmimin tani. Nafta do të kushtojë 220 lekë për litër! Natyrisht, kjo reflekton armëpushimin në Lindjen e Mesme dhe angazhimin e Iranit për të hapur Ngushticën e Hormuzit”, shprehet ai.

Megjithatë, deputeti socialist kritikon qasjen e mazhorancës, duke nënvizuar se masat e marra kanë qenë të kufizuara dhe jo të mjaftueshme për të përballuar situatën.

“Më dhemb fakti që ne, mazhoranca, patëm thjesht vetëm dy masa në këtë situatë – Bordin dhe reduktimin me 20% të Akcizës”, deklaron Braçe.

Sipas tij, qeveria duhej të kishte ndërhyrë me politika konkrete për të nxitur kursimin dhe për të lehtësuar barrën mbi qytetarët.

Braçe sugjeron alternativa si reduktimi i ditëve të punës, nxitja e punës nga shtëpia dhe subvencionimi i transportit publik.

“Asnjë masë për të nxitur kursimin, më pak ditë pune në javë, punë nga shtëpia, transport publik të subvencionuar”, shprehet ai, duke shtuar me ironi: “U kujdes Zoti për këtë me Bajram, Pashkë Katolike e këtë javë Ortodokse”.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me funksionimin e tregut të karburanteve dhe transparencën fiskale. Ai përmend raste të raportuara nga qytetarët, ku në pikat e shitjes pyetet nëse konsumatori dëshiron faturë, duke ngritur dyshime për evazion fiskal.

“Po e lë mënjanë kërkesën për t’u marrë me tregun, konkurrencën në të dhe evazionin fiskal të rëndë!”, përfundon Braçe.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)