“Dosje e ndërtuar me tre SMS”, Kryemadhi sfidon SPAK: Do kërkoj Ramën dhe Gjiknurin dëshmitar

Monika Kryemadhi tha sot se do të kërkojë si dëshmitarë në gjyqin ndaj saj kryeministrin Edi Rama, ish-ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe deputetin socialist Eduard Shalsi, duke pretenduar se akuza e SPAK për korrupsion është e pabazuar dhe e manipuluar politikisht.

27.04.2026. 12:39

“Dosje e ndërtuar me tre SMS”, Kryemadhi sfidon SPAK: Do kërkoj Ramën dhe Gjiknurin dëshmitar

Seanca gjyqësore në GJKKO për çështjen CEZ-DIA është shtyrë, ndërsa pas daljes nga gjykata, Monika Kryemadhi hodhi akuza të forta ndaj SPAK, duke e cilësuar dosjen ndaj saj si një “përrallë” të ndërtuar mbi tre mesazhe telefonike.

Kryemadhi deklaroi se do të kërkojë si dëshmitarë kryeministrin Edi Rama, ish-ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe deputetin socialist Eduard Shalsi, duke pretenduar se akuza për korrupsion është e pabazuar dhe e manipuluar politikisht.

Ajo tha se gjatë seancës paraprake është kërkuar që t’i vihet në dispozicion ekspertiza e telefonit dhe përgjimet, pasi sipas saj, materiali i përdorur nga SPAK është interpretuar në mënyrë të shtrembëruar.

“Ne kërkuam nga gjyqtarja që përveçse të kishim ekspertimin e telefonit, të na viheshin në dispozicion të gjitha materialet, pasi çdo gjë është ndërtuar si fabul, për të krijuar një iluzion optik, pavarësisht se mesazhet nuk përbëjnë vepër penale. Prokuroria përdor një SMS ku unë them: ‘Dua të marr një shtëpi’. Dhe më pas unë ndryshoj mendim. Dhe thonë se kjo është korrupsion për te Kodra e Diellit. Por thuhet se shtëpia është marrë si premtim për ligjin për minierat. Por e para ajo shtëpi nuk ekziston dhe e dyta, ligji është miratuar në vitin 2014, një ligj i propozuar nga Gjiknuri, Rama dhe një komision i drejtuar nga Shalsi. Do t’i kërkoj dëshmitarë të gjithë këta emra. Akuzën e nxjerrin me tre mesazhe”, u shpreh Kryemadhi.

Kryemadhi komentoi edhe arrestimin e Ilir Metës dhe Erion Veliajt, duke e konsideruar si pjesë të një strategjie politike.

“Një sistem drejtësie që funksionon me regji politike dhe synon të bëjë statistika. Duke mbajtur Metën dhe Veliajn në burg që të thonë se kjo klasë politike bëri shpagimin e saj. Kemi statistika e numra dhe vijojmë të ecim para si në kohën e Partisë së Punës, ku gjithçka e bën kreu i partisë”, tha Kryemadhi.

E pyetur nëse procesi gjyqësor ndikoi në jetën e saj personale dhe divorcin me Ilir Metën, ajo u përgjigj: “Janë dy gjëra komplet të ndryshme nga ajo që ndodh në përditshmëri. Unë mbylla Big Brother-in tim për të folur për ndjesitë, tani nis betejën ligjore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)