Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Samitin Shqipëri-Izrael për sigurinë kibernetike, ku u mblodhën rreth 40 kompani inovative izraelite me fokus teknologjinë dhe mbrojtjen digjitale. Gjatë fjalës së tij, Rama foli për marrëdhëniet mes dy vendeve, sulmet kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë dhe bashkëpunimin me Izraelin në fushën e sigurisë.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria u bë objekt i sulmeve kibernetike pas strehimit të mijëra iranianëve opozitarë, të cilëve Tirana u hapi dyert për arsye humanitare.
“Ne ju hapëm derën disa mijëra iranianëve të cilët janë në opozitë dhe nuk e bëmë për shkak të ndonjë motivi politik. E bëmë sepse jetët e tyre ishin në rrezik dhe askush nuk donte t’i shpëtonte”, deklaroi Rama.
Sipas tij, regjimi iranian reagoi duke goditur sistemin shqiptar të shërbimeve online dhe infrastrukturën digjitale të ndërtuar ndër vite.
“Na sulmoi atë që kishim ndërtuar pa reshtur me vite të tëra për të transformuar shërbimet tona publike”, tha kryeministri.
Rama vlerësoi ndihmën e Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ekspertëve amerikanë për përballimin e sulmit, duke theksuar se Shqipëria sot ka një nivel shumë më të lartë të mbrojtjes kibernetike.
Në fjalën e tij, ai u ndal edhe tek marrëdhëniet historike mes shqiptarëve dhe hebrenjve, duke kujtuar se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj sesa para luftës.
“Për hebrenjtë Shqipëria është shtëpi dhe dëshiron të mbetet e tillë”, u shpreh Rama, duke shtuar se në Shqipëri nuk ka antisemitizëm dhe hebrenjtë janë gjithmonë të mirëpritur.
Ai theksoi gjithashtu se numri i turistëve hebrenj në Shqipëri është rritur me 700%, ndërsa përmendi edhe nisjen e fluturimeve direkte mes dy vendeve si një hap për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)