Festat e fundvitit dhe zgjedhjet e parakohëshme, fluks emigrantësh në kufirin Kosovë-Shqipëri

Po punohet me procedura të përshpejtuara për të shmangur pritjet e gjata. Autoritetet paralajmërojnë se lëvizjet e ngjashme do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme.

21.12.2025. 14:03

Festat e fundvitit dhe zgjedhjet e parakohëshme, fluks emigrantësh në kufirin Kosovë-Shqipëri

Pikat kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë po përballen me një fluks të lartë emigrantësh që po kthehen në vend për festat e fundvitit. Radhë të gjata automjetesh janë regjistruar në pikat kufitare, kryesisht nga qytetarët e Kosovës që vijnë nga vendet e Europës për të kaluar festat me familjet e tyre.

Autoritetet doganore në Vërmicë bëjnë me dije se kjo lëvizje e shtuar lidhet edhe me zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor. Një pjesë e emigrantëve ka zgjedhur të kthehet në Kosovë për të ushtruar të drejtën e votës fizikisht.

Policia Kufitare dhe Dogana po punojnë me procedura të përshpejtuara për të shmangur pritjet e gjata dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se fluksi do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme.

Sipas parashikimeve, një valë e ngjashme lëvizjeje do të regjistrohet edhe në ditët e para të vitit 2026, kur shumë emigrantë kosovarë do të kthehen drejt vendeve të punës dhe jetesës në Europë. Autoritetet bëjnë thirrje për durim dhe bashkëpunim nga udhëtarët, ndërsa masat për përshpejtimin e procedurave do të vazhdojnë gjatë gjithë periudhës festive.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)