“Pezullim i përkohshëm nga Amerika”, kryeministri Rama sqaron çështjen e vizave

Nuk preken vizat turistike, studentore, për biznes apo për tifozët në Botërorin 2026, politika e re e administratës Trump përfshin lejet e punës.

18.01.2026. 11:00

“Pezullim i përkohshëm nga Amerika”, kryeministri Rama sqaron çështjen e vizave

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar vendimin e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e vizave për 75 vende, duke përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën. Nëpërmjet podcast-it “Flasim”, kreu i qeverisë saktësoi vendimin e marrë nga Uashingtoni, duke i cilësuar shumë nga diskutimet e bëra si dezinformim.

“Kam dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë apo jetojnë të hedhurin përpjetë dhe i shtuan edhe një hedhje të radhës, dezinformim, çoroditje të opinionit publik duke thënë se Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë. Kjo është e pavërtetë. Administrata Trump ka vendosur një pezullim të përkohshëm vetëm për lejet e punës në Shtetet e Bashkuara, dhe jo për vizat studentore, turistike apo ato për biznes. Nuk preken as tifozët që duan të shkojnë në SHBA për të ndjekur Kupën e Botës”, tha Rama.

Kryeministri saktësoi se vendimi lidhet me politikën e re të emigracionit dhe me rastet kur qytetarë të disa vendeve merrnin vizë turistike ose për biznes, por qëndronin në SHBA për të punuar, duke shkelur afatet. “Është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të Presidentit Trump”, tha ai.

Pezullimi i vizave për 75 vende do të nisë më 21 janar dhe do të vijojë deri në rishqyrtimin e Departamentit të Shtetit, që nuk ka një kohë të caktuar. Kategoritë e vizave që preken lidhen me bashkimin familjar, birësimin, punësimin, emigrantët special dhe lotarinë e diversitetit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)