Nga Alpet e Europës deri në Detin e Veriut, ja kur është kulmi i stuhisë së Saharasë edhe në Shqipëri

Edhe pse është spektakolar, fenomeni zakonisht nuk paraqet rreziqe serioze për shëndetin, pasi pluhuri saharian është më pak i dëmshëm se disa grimca të imëta urbane.

05.03.2026. 19:02

Nga Alpet e Europës deri në Detin e Veriut, ja kur është kulmi i stuhisë së Saharasë edhe në Shqipëri

Pluhuri i Saharas po përhapet drejt Europës, është ndjerë të kalojë nëpër Shqipëri e madje prej kësaj të enjteje ka nisur të arrijë edhe në Alpet e Europës, nga Italia dhe Austria, për të vijuar me Francën dhe Zvicrën. Sipas parashikimeve, fenomeni do të intensifikohet gjatë orëve në vijim, teksa kulmi pritet të arrihet të premten, për t’u zbutur gradualisht gjatë fundjavës.

Shkak për këtë lëvizje është një kombinim i presioneve atmosferike: një sistem me presion të ulët mbi Afrikën e Veriut dhe një me presion të lartë mbi Europën Lindore krijojnë një rrjedhë që transporton pluhurin për mijëra kilometra drejt Europës Qendrore. Efekti është i dukshëm në qiell, pasi ai është dukur i mjegullt dhe me një nuancë të verdhë.

Ndërkohë, pluhuri ka nisur të depozitohet edhe mbi tokë, duke u ngjitur mbi makina dhe dritare në rast reshjesh, fenomen i njohur si “shi rëre”. Në zonat malore dhe që kanë ende dëborë, sipërfaqja është ngjyrosur nga pluhuri i kuq. Stuhia e Saharasë pritet që ta ketë pikën kulmore mbi Britaninë e Madhe, në pjesën e Detit të Veriut përballë Norvegjisë.

Ky nuk është një fenomen i pazakontë për Europën, pasi matjet tregojnë se episodet më të shpeshta ndodhin në muajt shkurt, mars, tetor dhe nëntor. Edhe pse është spektakolar, fenomeni zakonisht nuk paraqet rreziqe serioze për shëndetin, pasi pluhuri saharian është më pak i dëmshëm se disa grimca të imëta urbane.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)