Pas humbjes tronditëse ndaj Cagliarit, Milani është pa drejtues. Pronari i klubit, Gerry Cardinale, ka vendosur të “pastrojë” të gjithë strukturën drejtuese dhe sportive të Milanit.
Në një komunikatë zyrtare, klubi konfirmoi shkarkimin e trajnerit Massimiliano Allegri, si dhe largimin me efekt të menjëhershëm të administratorit Giorgio Furlani, drejtorit sportiv Igli Tare dhe drejtorit teknik Geoffrey Moncada.
Në deklaratën e publikuar nga pronarët e RedBird, sezoni u cilësua si “një dështim i padiskutueshëm”, pavarësisht faktit që Milani për pjesën më të madhe të kampionatit qëndroi në zonën e parë të tabelës dhe konsiderohej kandidat për titull.
“Është koha për ndryshime dhe një riorganizim të thellë të sektorit sportiv”, thuhej në komunikatë.
Pas këtij vendimi drastik, figura më e fuqishme brenda klubit pritet të bëhet Zlatan Ibrahimović. Mediat italiane raportojnë se suedezi do të ketë rol kyç në rindërtimin e Milanit së bashku me Cardinale, ndërsa Adriano Galliani nuk do të jetë pjesë e projektit të ri.
Nga ana tjetër, kuqezinjtë pritet të nisin një epokë të re edhe në stol. Sipas raportimeve, drejtuesit kërkojnë një trajner të ri, modern dhe me ide sulmuese, në stilin e Cesc Fàbregas. Emri i Antonio Conte është përjashtuar nga lista e kandidatëve.
Revolucioni pritet të prekë edhe skuadrën. Ylli portugez Rafael Leão është nxjerrë në merkato dhe pritet të largohet nga Milano gjatë verës. Ndërkohë, lojtarë si Pavlovic, Saelemaekers, Pulisic dhe Luka Modrić konsiderohen pjesë e projektit të ri, edhe pse për kroatin ende nuk ka një vendim përfundimtar për rinovimin e kontratës.
Te Milani tashmë ka nisur një epokë e re, me Cardinale që synon të rindërtojë klubin nga themelet pas një sezoni që në Itali po cilësohet si katastrofik.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)