Shqipëria ka “Diellën”, ministren e parë digjitale në botë. Por, ky revolucion teknologjik i vendit tonë, po sfidohet nga Kolumbia. Një avatar i krijuar nga inteligjenca artificiale, i quajtur “Gaitana” është futur në garën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2026. Kandidatja e inteligjencës artificiale synon të fitojë një nga vendet e rezervuara për komunitetet indigjene në Kongres.
Sipas raportimeve të “El Colombiano”, ajo nuk është një kandidate njerëzore, por një avatar digjital. Projekti paraqitet si një eksperiment politik dhe teknologjik që synon të forcojë përfaqësimin e zërave indigjenë përmes mjeteve digjitale.
Emri “Gaitana” i referohet një udhëheqëseje indigjene të shekullit XVI, e njohur për rezistencën ndaj kolonizimit spanjoll. Kjo zgjedhje i jep avatarit një domethënie historike dhe kulturore, duke e lidhur teknologjinë moderne me trashëgiminë e komuniteteve autoktone.
Krijuesit e projektit thonë se nisma synon të eksplorojë se si inteligjenca artificiale mund të mbështesë pjesëmarrjen politike, komunikimin e politikave publike dhe angazhimin e komuniteteve, veçanërisht atyre që tradicionalisht nuk ndihen mjaftueshëm të përfaqësuara. Kushtetuta e Kolumbisë garanton vende të rezervuara në Kongres për përfaqësuesit e komuniteteve indigjene.
Deri më tani, për këto vende kanë garuar vetëm kandidatë njerëzorë të mbështetur nga organizata të njohura indigjene. Shfaqja e një avatari të inteligjencës artificiale, që kërkon të marrë pjesë qoftë edhe në mënyrë simbolike apo formale, ka hapur debat mbi ligjshmërinë, etikën dhe të ardhmen e përfaqësimit politik në epokën digjitale.
Ligji zgjedhor në Kolumbi aktualisht kërkon që kandidatët të jenë persona fizikë, çka ngre pikëpyetje nëse vetë avatari është kandidat apo nëse një përfaqësues njerëzor po regjistrohet zyrtarisht duke përdorur inteligjencën artificiale si platformë fushate. Hyrja e Gaitanës, si kandidate simbolike apo si eksperiment konceptual, ka dhënë vetëm një garanci: garës elektorale i është shtuar një dimension i ri futurist.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)