Portugalia voton për presidentin mes stuhive dhe pasigurisë klimatike

Portugalia do të zgjedhë sot presidentin e ri, ndonëse vendi prej ditësh është goditur nga një mot i keq që ka shkaktuar dhe viktima.

Burimi: BBC

08.02.2026. 09:00

Portugalia voton për presidentin mes stuhive dhe pasigurisë klimatike

Portugalia voton këtë të dielë për balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, në kushte të jashtëzakonshme, ndërsa moti ekstrem ka goditur rëndë Gadishullin Iberik, duke shkaktuar viktima, evakuime dhe dëme të mëdha materiale.

Rreth 11 milionë qytetarë votojnë sot për presidentin e ri, pas përfundimit të mandatit të Marcelo Rebelo de Sousa. Megjithatë, emergjenca klimatike ka ndikuar drejtpërdrejt në votim, pasi disa bashki kanë vendosur shtyrjen e procesit për javën e ardhshme, ndërsa të tjera kanë vijuar me votimin nën masa të rrepta sigurie.

Në balotazh përballen socialisti António José Seguro, fitues i raundit të parë me 31.1% të votave, dhe André Ventura, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Chega, i cili siguroi 23.5%. Fushata elektorale u dominua dhe më pas u ndërpre pothuajse plotësisht nga stuhitë e fuqishme që përfshinë vendin.

Ventura kërkoi shtyrjen e plotë të zgjedhjeve, por Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve refuzoi kërkesën, duke ia lënë vendimmarrjen autoriteteve lokale. Ndërkohë, stuhia Marta ka shkaktuar viktima të reja, përfshirë vdekjen e një zjarrfikësi në rajonin e Alentejos.

Që nga fundi i janarit, stuhitë kanë marrë jetën e 14 personave. Autoritetet presin një pjesëmarrje më të ulët në votim, ndërsa sondazhet parashikojnë një fitore të qartë për Seguro, me 67% të mbështetjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)