"A e meritoj?", heroi që çarmatosi terroristin në Sidnei merr çekun 2.5 milionë dollarë

Një çek prej 2.5 milionë dollarësh i është dorëzuar në spital Ahmed Al-Ahmed, burrit që çarmatosi një nga autorët e sulmit terrorist në Bondi Beach të Sidneit dhe u cilësua hero nga shoqëria australiane.

Burimi: Reuters

19.12.2025. 18:16

"A e meritoj?", heroi që çarmatosi terroristin në Sidnei merr çekun 2.5 milionë dollarë

Një çek prej 2.5 milionë dollarësh i është dorëzuar në spital Ahmed Al-Ahmed, burrit që çarmatosi një nga autorët e sulmit terrorist në Bondi Beach të Sidneit dhe u cilësua hero nga shoqëria australiane.

Shuma u mblodh nga rreth 43,000 njerëz në të gjithë botën, përmes një fushate online, si shenjë njohjeje për aktin e tij në mbrojtje të qytetarëve të tjerë australianë.

Një video e postuar në mediat sociale tregon momentin kur 42-vjeçari me origjinë siriane, baba i dy fëmijëve, informohet për shumën që do t’i dhurohet. "A e meritoj?", pyet ai, dukshëm i prekur, me një djalë në krah që i jep çekun duke iu përgjigjur: "Çdo qindarkë ...".

I pyetur se çfarë mesazhi donte t'u dërgonte dhjetëra mijëra donatorëve, Ahmed Al-Ahmed foli për unitetin dhe solidaritetin. "Duke qëndruar së bashku, të gjithë njerëzit, duke lënë pas gjithçka që është e keqe dhe duke vazhduar të shpëtojmë jetë. Duke shpëtuar jetë", tha ai nga shtrati i spitalit, duke shtuar: "Kur shpëtova njerëz, e bëra nga zemra".

Videoja shkaktoi emocione të forta dhe një lumë komentesh në mediat sociale, me shumë përdorues që lavdëruan modestinë e tij dhe e quajtën atë një "hero".

Sulmi ndodhi të dielën në mbrëmje, gjatë festimeve për festën hebraike Hanukkah në plazhin Bondi, ku qindra njerëz ishin mbledhur. Të shtënat vranë 15 persona, përfshirë një vajzë 10-vjeçare, dhe plagosën rëndë dhjetëra të tjerë.

Ahmed Al-Ahmed, pronar i një dyqani ushqimor në Sutherland, u bë i njohur pasi u shfaq një video ku ai shihej duke sulmuar më të vjetrin nga dy terroristë dhe duke u përleshur me të, teksa arrin t'i rrëmbejë armën. Ai u plagos gjatë këtij procesi, duke marrë plagë të shumta me armë zjarri në shpatull dhe krah.

“Ishte një ditë e bukur, të gjithë po e shijonin momentin, duke festuar me fëmijët, gratë, burrat. Të gjithë ishin të lumtur… ata meritojnë të shijojnë, është e drejta e tyre. Ky vend është vendi më i mirë në botë… Ne nuk do të rrimë duarkryq më duke parë, mjaft është mjaft. Zoti e bekoftë Australinë dhe australianët”, tha ai nga shtrati i spitalit.

Fushata e mbledhjes së fondeve për Ahmed Al-Ahmed, e filluar nga CarHub Australia, ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Donatorët përfshinin miliarderin amerikan Bill Ackman, i cili dhuroi 99,999 dollarë. Në total, donacionet për fushatat e konfirmuara GoFundMe që nga sulmi kanë arritur në 5 milionë dollarë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)