Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet mes tyre, por theksoi se ky proces është tejet i vështirë, duke pasur parasysh qasjen e Beogradit.
Në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, disa ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Kurti tha se normalizimi me një shtet që nuk e njeh Kosovën dhe nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës mbetet sfidë serioze.
Kurti rikujtoi Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin e zbatimit të saj, të arritur në vitin 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Megjithatë, ai theksoi se marrëveshja ende nuk është zbatuar. Sipas tij, zbatimi i saj nënkupton njohje të ndërsjellë, të paktën njohje de facto, mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne duhet t’i normalizojmë raportet me Serbinë. Por, normalizimi i raporteve me një fqinj që ka regjim autoritar dhe që nuk të njeh, dhe po ashtu nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është shumë i vështirë. Ne kemi një marrëveshje për normalizim. Ne duhet ta zbatojmë, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes shteteve, të paktën njohje de facto”, tha Kurti.
Marrëveshja me 11 nene parasheh, ndër të tjera, vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë, njohjen e simboleve shtetërore, mosbllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare nga Serbia, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme të dialogut.
Kurti theksoi se për rinisjen e dialogut politik në nivel të lartë, Serbia duhet ta dorëzojë Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në vitin 2023. Ai shprehu shpresën se Bashkimi Evropian, Franca dhe Gjermania do të rrisin presionin ndaj Beogradit për këtë çështje.
Duke folur për ndikimin rus në rajon, Kurti tha se lidhjet e ngushta mes Serbisë dhe Rusisë paraqesin rrezik për stabilitetin e Kosovës. Ai theksoi se Prishtina po bashkëpunon ngushtë me aleatët perëndimorë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, për të parandaluar çdo përpjekje destabilizuese dhe për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)