Maqedonia e Veriut shpall gjendjen e krizës energjitike

Arsyeja lidhet me protestat e fermerëve në Greqi, pas ndërprerjes së furnizimit me karburant për termocentralet.

25.12.2025. 16:15

Maqedonia e Veriut shpall gjendjen e krizës energjitike

Maqedonia e Veriut ka shpallur gjendjen e krizës energjitike për një periudhë 7-ditore, pas ndërprerjes së furnizimit me karburant për termocentralet. Kjo ka ardhur si pasojë e bllokadave të fermerëve grekë në pikat kufitare.

Sipas qeverisë së Shkupit, protestat e fermerëve në Greqi, të cilat kanë nisur prej javësh për shkak të subvencioneve të vonuara, çmimeve të ulëta të produkteve bujqësore dhe kostove të larta të prodhimit, kanë bllokuar autostrada dhe pika kyçe kufitare, duke ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin energjetik të Maqedonisë së Veriut.

Vendimi për shpalljen e krizës e lejon kompaninë shtetërore të energjisë elektrike, ESM, të përdorë rezervat shtetërore të karburantit pa kompensim financiar. Autoritetet theksojnë se operatori energjitik do të ketë detyrimin të raportojë rregullisht te Ministria e Financave mbi sasinë e karburantit të shfrytëzuar.

Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prodhohet nga termocentrale që përdorin lëndë djegëse. Kjo e bën vendin fqinj veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndërprerjeve të furnizimit me karburant, mbi të gjitha gjatë sezonit të dimrit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)