Policia e Shtetit ka bërë publike planin e posaçëm të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026. Plani parashikon angazhimin maksimal të të gjitha strukturave policore vendore dhe qendrore, me qëllim parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale.
Masat kryesore përfshijnë shtimin e prezencës së patrullave policore në të gjithë territorin, forcimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve përmes shtimit të sporteleve dhe burimeve njerëzore. Gjithashtu, do të intensifikohet monitorimi i qarkullimit rrugor me mjete inteligjente, dronë dhe alkooltestues, për të parandaluar aksidentet dhe rritur sigurinë rrugore.
Policia ka sqaruar se pretendimet për presion ndaj punonjësve për vendosjen e një numri të caktuar masash administrative janë të pavërteta, duke theksuar se çdo masë synon vetëm garantimin e sigurisë rrugore.
Në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet fetare, Policia do të garantojë mbarëvajtjen e ceremonive festive, si dhe do të rrisë prezencën në sheshe publike, objekte kulti, zona pedonale, qendra tregtare, restorante dhe ambiente me frekuentim të lartë. Po ashtu, do të intensifikohen kontrollet ndaj tregtimit të lëndëve piroteknike dhe masat e sigurisë në banka dhe objekte ku administrohen vlera monetare.
Strukturat speciale, përfshirë RENEA dhe Forcat Operacionale, do të jenë në gatishmëri të plotë për çdo situatë.
MASAT e POLICISE:
-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale;
-menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve në PKK-të gjatë hyrjeve/daljeve të shtetasve në territorin e vendit, duke shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, do të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit;
-rritjen e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimin e patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare;
-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë, alkooltestues, si dhe shtimin e patrullave të lëvizshme të Policisë Rrugore në të gjitha qendrat urbane dhe akset rrugore urbane e interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave te sigurisë rrugore.
(Në këtë kuadër, sqarojmë se deklarata publike e bërë nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta se punonjësit e Policisë kanë urdhër të plotësojnë sa më shumë masa administrative pasi në rast se nuk plotësojnë numrin e kërkuar kërcënohen për transferime apo ulje në detyrë, është tërësisht e pavërtetë. Theksojmë për qytetarët dhe opinionin publik se nuk ka asnjë urdhër të tillë për të plotësuar një numër të caktuar masash administrative.
Masat administrative, ashtu si fushatat sensibilizuese dhe masat këshilluese, janë mjete që përdoren ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kanë objektiva vetëm garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve)
-bashkëpunimin me organet e pushtetit vendor dhe drejtuesit e institucioneve fetare për mbarëvajtjen e ceremonive festive për Krishtlindje dhe Vit të Ri, si dhe koordinimin e veprimeve me Policitë Bashkiake në qarqe;
-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë ndërrimit të viteve;
-shtimin e masave për mbajtjen nën kontroll të rendit dhe sigurisë në ambiente te ndryshme, restorante, lokale dhe qendra tregtare që kanë frekuentim të lartë qytetarësh, me qëllim parandalimin e konflikteve dhe ngjarjeve kriminale;
-sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale;
-intensifikimin e kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike (fishekzjarre, kapsolla), në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese;
-rritjen e gatishmërisë dhe shtimin e shërbimeve policore në banka, zyra të këmbimit valutor, qendra tregtare, tregje te ndryshme dhe objekte të tjera ku administrohen vlera monetare dhe materiale;
-bashkëpunimin me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e masave te sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.
Ndërkohë, shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast se do të jetë e nevojshme.
Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe në këtë kuadër, i fton ata të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë, duke denoncuar ne numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte, përgjatë ditëve dhe netëve festive.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)