Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Enea Karakaçi, ka deklaruar se kompania ka ndërmarrë një plan të posaçëm masash për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike gjatë festave të fundvitit në të gjithë vendin.
Sipas tij, të gjitha strukturat e OSHEE-së janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo situate të mundshme.
“Qëllimi ynë është që, përmes këtij plani masash, të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë qytetarët”, u shpreh Karakaçi.
Aktualisht, rreth 1600 punonjës të OSHEE-së janë të angazhuar në terren, ndërsa qytetarët mund të raportojnë çdo problem përmes linjave të komunikimit që mbeten të hapura 24 orë në ditë.
Karakaçi theksoi se OSHEE po e mbyll vitin 2025 me rezultate shumë pozitive si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë teknik.
Ai bëri të ditur se humbjet në rrjet janë ulur me rreth 1%, ndërsa parashikohet që deri në fund të vitit të arrijnë nivelin 16.9%, duke reflektuar përmirësim të ndjeshëm në menaxhimin e rrjetit shpërndarës.
Një tjetër tregues pozitiv, sipas administratorit, është niveli i arkëtimeve, i cili ka arritur në 100%.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)