Lumi Ishëm del nga shtrati, përmbyten qindra hektarë tokë në Fushë Krujë

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të shumta në disa zona të vendit, me lumin Ishëm që ka dalë nga shtrati duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore dhe duke vënë në rrezik infrastrukturën.

06.01.2026. 17:33

Lumi Ishëm del nga shtrati, përmbyten qindra hektarë tokë në Fushë Krujë

Reshjet e dendura të shiut kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në disa zona të vendit, duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe probleme për banorët. Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati në fshatrat Murqinë dhe Mallkuç në Fushë Krujë, ku janë përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore dhe janë bllokuar dy lagje në Murqinë. Gjendja paraqitet problematike edhe në fshatra të tjerë të zonës, si Bubqi, Gramza, Derveni, Luzi, Malkuçi, Bilaj, ku përmbytjet kanë prekur toka dhe rrugë lidhëse.

Sipas banorëve, situata vijon të mbetet e pandryshuar. Ndërkohë, situatë e rënduar raportohet edhe në territorin e Bashkisë Kukës. Në fshatin Orgjost, ura që lidh mbi 1 mijë banorë të dy lagjeve të fshatit rrezikon të dëmtohet seriozisht nga prurjet e shumta të ujit. Banorët bëjnë me dije se lumi ka gërryer bazamentet e betonit në hyrje dhe dalje të urës ushtarake, duke rritur rrezikun për izolim të zonës.

Si pasojë e motit të keq, fshati Orgjost ka mbetur gjithashtu pa energji elektrike, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet lokale dhe qendrore për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)