Borë deri 40 cm, akse të bllokuara dhe mungesë energjie në Dibër

Reshjet e borës kanë shkaktuar probleme në Dibër. Raportohen rrugë të bllokuara dhe mungesë energjie në disa zona.

11.01.2026. 09:31

Borë deri 40 cm, akse të bllokuara dhe mungesë energjie në Dibër

Reshjet intensive të borës kanë sjellë vështirësi të shumta në disa zona të Qarkut Dibër, duke krijuar probleme në furnizimin me energji elektrike dhe në qarkullimin rrugor.

Situata paraqitet më e rënduar në njësitë Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr, ku trashësia e borës ka kaluar 40 centimetra.

Bashkia Dibër ka angazhuar mjetet dhe forcat e saj për hapjen e akseve rrugore drejt zonave rurale, por për shkak të reshjeve të dendura, puna po vijon me vështirësi.

Në qytetin e Peshkopisë, bora ka arritur rreth 20 centimetra, ndërsa qarkullimi në disa segmente rrugore mbetet problematik.

Aksi Peshkopi–Kukës kalohet vetëm me përdorimin e zinxhirëve dhe me vështirësi të theksuara, ndërsa rruga Ura e Çerenecit–Librazhd është aktualisht e bllokuar, megjithëse po punohet për hapjen e saj.

Ndryshe paraqitet situata në aksin Peshkopi–Tiranë, i cili është i kalueshëm pa nevojën e zinxhirëve. Autoritetet lokale bëjnë me dije se në të gjithë qarkun po vijon puna për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e normalitetit, veçanërisht në zonat rurale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)