Ilaçe të skaduara dhe kontrabandë, mijëra kuti të sekuestruara në Fier

Arrestohet 42-vjeçari, pavarësisht rrezikut i hidhte në treg medikamentet duke furnizuar farmacitë e qytetit, me qëllim përfitimi financiar.

18.01.2026. 11:37

Ilaçe të skaduara dhe kontrabandë, mijëra kuti të sekuestruara në Fier

Policia e Fierit ka goditur një rast të hedhjes në treg të ilaçeve të skaduara dhe të futura kontrabandë. Operacioni i koduar “Skadenca”, u finalizua me arrestimin e një 42‑vjeçari dhe sekuestrimin e një sasie të madhe medikamentesh.

Sipas Policisë, shtetasi B. B., 42 vjeç banues në Fier, magazinonte në banesën e tij medikamente të ndryshme pa faturë tatimore, ku një pjesë të konsiderueshme e tyre ishin të skaduara. Pavarësisht rrezikut, ai i hidhte në treg duke furnizuar farmacitë e qytetit, me qëllim përfitimi financiar.

Gjatë kontrollit të banesës u gjetën gjithsej 4,289 kuti me ilaçe, nga të cilat 1,635 kuti ishin të skaduara. Ndërkohë, 2,654 kuti rezultuan pa faturë tatimore, të dyshuara si të futura në mënyrë kontrabandë. Të gjitha medikamentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Pasi u arrestua në flagrancë, tashmë 42‑vjeçari akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)