Nuk kemi më as gjalpë e djathë, rritet importi dhe për bulmetin

Rritja e shpejtë e importeve të produkteve bulmetore po thellon varësinë e Shqipërisë nga tregjet e huaja, ndërsa kriza e blegtorisë vendase rrezikon sovranitetin ushqimor të vendit.

Burimi: Monitor

05.02.2026. 08:31

Nuk kemi më as gjalpë e djathë, rritet importi dhe për bulmetin

Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet e shportës ushqimore po tregon një varësi gjithnjë e më të madhe nga importet, veçanërisht në sektorin e produkteve bulmetore.

Të dhënat e fundit të INSTAT për tregtinë e jashtme tregojnë se vlera e importeve të qumështit, djathit, vezëve dhe mjaltit ka arritur në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025, nga 6.8 miliardë lekë një vit më parë, duke shënuar një rritje vjetore prej 14% dhe mbi 60% që nga viti 2021.

Shtimi i importeve lidhet drejtpërdrejt me krizën e vazhdueshme në blegtorinë vendase. Numri i krerëve ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, si pasojë e braktisjes së zonave rurale, plakjes së popullsisë në fshat dhe mungesës së interesit të të rinjve për të vazhduar aktivitetin bujqësor familjar.

Paralelisht, rritja e kostove të prodhimit dhe e çmimeve të ushqimit për bagëtinë e ka bërë më të vështirë konkurrencën me produktet e importuara.

Forcimi i lekut ka ndikuar gjithashtu në uljen e kostos së importeve nga vendet e Bashkimit Evropian, duke i bërë ato më të leverdishme për tregtarët sesa grumbullimi i prodhimit vendas. Ndërkohë, kërkesa e qëndrueshme e konsumit dhe rritja e turizmit po mbulohen kryesisht nga furnizues të huaj.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse kjo prirje vijon, Shqipëria rrezikon të humbasë sovranitetin ushqimor për produktet bazë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)