Policia e Shkodrës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi më 29 dhjetor 2025, kur shtetasi Hysni Ymeri humbi jetën pas shpërthimit të një paneli elektrik në lagjen “Manush Alimani”. Pas hetimeve intensive, janë arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje direkte në këtë krim.
Në pranga kanë rënë Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi, të cilët dyshohet se, kundrejt pagesës dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vendosur lëndë eksplozive me telekomandim në distancë në panelin elektrik të pallatit ku banonte viktima. Shpërthimi shkaktoi vdekjen e Hysni Ymerit.
Gjatë kontrollit të ambienteve dhe personave të dyshuar, policia sekuestroi 28 celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e përdorura nga autori i dyshuar, municion luftarak, sasi parash në lekë dhe euro, lëndë narkotike, pajisje GPS, kamera sigurie dhe një laptop. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar të tjerë të përfshirë dhe për të sqaruar plotësisht motivet e ngjarjes.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim” në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim, si dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)