Kapet hajduti serial në Korçë, i ngarkohen 5 vjedhje

Policia e Korçës ka vënë në pranga një person i cili dyshohet se ka plaçkitur 5 banesa në qytet.

11.01.2026. 13:32

Kapet hajduti serial në Korçë, i ngarkohen 5 vjedhje

Policia e Korçës ka finalizuar një operacion hetimor që çoi në kapjen e një personi, i dyshuar për kryerjen e pesë vjedhjeve të banesave në qytet. I arrestuari është shtetasi E. B., 38 vjeç, banues në Korçë, i cili ka qenë më parë i dënuar për veprime të ngjashme penale.

Nga hetimet rezulton se E.B. dyshohet të jetë autori i vjedhjes së një banese në lagjen nr. 3 të qytetit, ngjarje e ndodhur më 10 janar 2026, ku janë marrë sende të ndryshme në pronësi të shtetasit Gj. M., rezident në Greqi.

Përveç kësaj, policia ka zbuluar se i arrestuari dyshohet të ketë kryer edhe katër vjedhje të tjera banesash në Korçë, më datat 28 shtator 2024, 20 mars 2025, 1 janar 2026 dhe 6 janar 2026. Gjatë këtyre ngjarjeve janë marrë bizhuteri, shuma parash, orendi dhe sende të tjera me vlerë.

Materialet procedurale janë dorëzuar pranë Prokurorisë së Korçës, e cila do të vijojë me veprimet ligjore përkatëse. Policia njofton se puna për dokumentimin e plotë të të gjitha rasteve dhe identifikimin e mundshëm të bashkëpunëtorëve të 38-vjeçarit vazhdon.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)