Apeli liron 3 autorët e dyshuar për vrasjen e Martin Çeços, babai në lot: Do t’i djeg me benzinë!

Tre autorët e dyshuar për vrasjen e Martin Çeços, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2022, janë liruar nga burgu.

15.01.2026. 15:18

Apeli liron 3 autorët e dyshuar për vrasjen e Martin Çeços, babai në lot: Do t’i djeg me benzinë!

Tre autorët e dyshuar për vrasjen e Martin Çeços, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2022, janë liruar nga burgu. Tre vjet pas vrasjes që tronditi Korçën, pasi trupi i të riut u gjet në një rezervuar, Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi masën e sigurisë nga "arrest në burg" në "arrest shtëpie" për Valter Mollaj, kushëririn e tij Edlir Mollaj dhe çobanin Bleti Angjo.

Apeli argumenton vendimin duke u shprehur se është konstatuar skadimi i afatit të paraburgimit të caktuar në datë 20.06.2022, për shkak të tejkalimit të afatit të qëndrimit maksimal.

Pavarësisht lirimit të tre të dyshuarve, hetimet për vrasjen e 26-vjeçarit dhe hedhjen e trupit të pajetë në rezervuarin e fshatit Kolanec, do të vijojnë.

Pas vendimit të Apelit, ka reaguar ashpër babai i të ndjerit, duke nënvizuar se ndihet i braktisur nga drejtësia, e cila ia rëndoi edhe më tepër dhimbjen familjarëve.

Me lot në sy para mediave ai deklaroi se do të kryejë vetëgjyqësi, duke ndëshkuar tre personat e liruar sot nga qelia, të cilët i akuzon se ia kanë vrarë të birin jo për shkak të një lidhje dashurie me shtetasen Tina Pajollari, por sepse ka parë nga afër disa parcela me kanabis të kultivuara nga autorët në zonë.

“S’kam ça të them më. Unë do t’i përvëloj ata që nesër, nuk i lë. Nuk jetoj më unë. Arrest shtëpie, në liri janë ata. Mua nuk më dhimbset jeta fare, nuk i lë. Ta them troç, nuk i lë, le të më arrestojnë po të duan. Do gjej një bidon me benzinë dhe do i djeg. Djali nuk pati as takim me çupën e asgjë. Dy dashnorë në fshat i kishte ajo, pse nuk bëri ndonjë krim te ata, por bëri te djali im. Ata kanë mbjellë drogë aty lart. Dhe për të zhdukur djalin tim kishin dalë në Maliq dy veta. E hape gojën i kishin thënë, do të zhdukim. Djali im s’kishte faj. Unë do i përvëloj me benzinë të gjithë si familje. I dënuan 25 vite, ia dërguan Tiranës dhe atje thanë që do dënohen me burg të përjetshëm. Tani i liruan fare. Unë nuk i lë pa përvëluar ata dhe kur të mbaroj punë, do i them djalit ‘e realizova planin’. Dhe nuk e bëj veten të më arrestojnë, do vras veten në mes të gjyqit atje”, tha babai i Martin Çeços.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)