Gjykata e Posaçme dënon avokatin Besart Logu, i hiqet dhe licenca

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për avokatin Besart Logu, i cili u shpall fajtor për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Në këtë dënim Logut i hiqet për 9 muaj dhe licenca e avokatit.

16.01.2026. 16:40

Gjykata e Posaçme dënon avokatin Besart Logu, i hiqet dhe licenca

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë vendimin për çështjen ndaj avokatit të njohur Besart Logu.

Sipas vendimit, Besart Logu është shpallur fajtor për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Fillimisht, gjykata e ka dënuar atë me 2 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi është ulur me një të tretën, duke u konvertuar në 1 vit e 4 muaj burg.

Megjithatë, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit. Kjo do të thotë se Logu nuk do të shkojë në burg, por do të qëndrojë në provë për një periudhë prej 2 vitesh e 8 muajsh. Gjatë kësaj kohe, ai duhet të mos kryejë vepra të tjera penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me shërbimin e provës.

Po ashtu, gjykata ka vendosur edhe heqjen e së drejtës për të ushtruar profesionin e avokatit për 9 muaj. Përveç kësaj, Besart Logu është ngarkuar të paguajë shpenzimet procedurale të hetimit dhe gjykimit.

Hetimi ndaj tij nisi pas dyshimeve të SPAK se ai kishte marrë 8 mijë euro nga një shtetas italian, duke i premtuar se do të ndikonte te prokurorë dhe gjyqtarë të Tiranës për të favorizuar çështjen e tij penale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)