Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, Prokuroria kërkon burg përjetë për ‘killerin’ portugez

Biznesmeni Ardian Nikulaj, i cili ushtronte veprimtarinë e tij në fushën e hoteleri-turizmit, u vra në një restorant në pronësi të tij, që ndodhet në shëtitoren e Shëngjinit.

03.03.2026. 10:58

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, Prokuroria kërkon burg përjetë për ‘killerin’ portugez

Në një seancë gjyqësore që zgjati rreth një orë, Prokuroria e Lezhës finalizoi hetimet dy vjeçare duke dhënë pretencën për shtetasin portugez, Ruben Saraiva, i cili akuzohet se vrau biznesmenin Ardian Nikulaj në Shëngjin, më 19 prill të vitit 2023.

Organi i akuzës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Saraivën, i cili sipas dosjes hetimore akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Biznesmeni Ardian Nikulaj, i cili ushtronte veprimtarinë e tij në fushën e hoteleri-turizmit, u vra në një restorant në pronësi të tij, që ndodhet në shëtitoren e Shëngjinit.

Autori i vrasjes ishte i maskuar, me skafandër në kokë dhe një jelek fosforeshent në trup. Saraiva e ka qëlluar 6 herë me pistoletë Nikulajn dhe më pas është larguar në drejtim të Shkodrës me motor.

Grupi i vrasësve, që përfshin edhe 4 shtetas britanikë, qëndruan në hotelin 'Coral' në pronësi të Nikulajt, morën ushqim falas nga biznesmeni, biseduan me gruan e tij dhe luajtën pishinë me djalin e tij.

Gjatë gjithë kësaj kohe ata monitoruan lëvizjet e Nikulajt, derisa një prej tyre dha sinjalin për ta ekzekutuar më 19 prill 2023. Porositësi i vrasjes për hakmarrje është Edmond Haxhia, ndërsa grupi i britanikëve përbëhej nga Thomas Mithan, Harry Simpson, Harriet Bridgeman dhe Steven Hant.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)