Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Arezzo-s gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës, ku një 30-vjeçar shqiptar humbi jetën pas një konflikti me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Gjergj Pergegaj, me origjinë nga Lezhë, i cili jetonte prej kohësh në Itali. Sipas raportimeve, ai u qëllua me katër plumba jashtë një lokali në zonën e Olmos, pranë Via Romana.
Ngjarja ndodhi pak para mesnatës, kur një klient i lokalit njoftoi menjëherë policinë. Forcat e rendit mbërritën në vendngjarje, por përpjekjet për të shpëtuar 30-vjeçarin rezultuan të pasuksesshme, pasi ai u gjet i pajetë në një pellg gjaku.
Autoritetet italiane kanë arrestuar një 35-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet si autor i krimit dhe sipas burimeve hetimore, ai nuk ka bërë rezistencë gjatë ndalimit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti mund të ketë lindur për motive xhelozie, pasi të dy personat njiheshin me njëri-tjetrin dhe thuhet se kishin interes për të njëjtën vajzë.
Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u zbardhur. Sakaq, trupi i viktimës është transportuar në morgun e spitalit lokal për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë nën drejtimin e prokurorisë italiane.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)