Protesta e “Shqipëria Bëhet”, ndërhyn sërish policia, Lapaj përfundon në spital

Sërish incidente në protestën e “Shqipëria Bëhet” përpara Kryeministrisë. Raportohet se policia ka ndërhyrë gjatë natës duke shoqëruar disa protestues. Gjithashtu, në këtë ndërhyrje është lënduar dhe Adriatik Lapaj.

05.01.2026. 08:10

Protesta e “Shqipëria Bëhet”, ndërhyn sërish policia, Lapaj përfundon në spital

Raportohen të tjera incidente gjatë natës në protestën e “Shqipëria Bëhet” përpara kryeministrisë.

Sipas të dhënave paraprake, policia ka ndërhyrë sërish dhunshëm për të larguar protestuesit dhe çadrat e ngritura prej tyre në bulevard, duke u përplasur me personat e pranishëm.

Raportohet se për shkak të shtyrjeve të ndërsjellta, i lënduar ka mbetur dhe Adriatik Lapaj, organizatori i kësaj proteste që tashmë zgjat prej shumë ditësh.

Lapaj mësohet të jetë goditur nga një bombol gazi që përdoret për ngrohje dhe aktualisht ndodhet në spitalin e traumës për të marrë ndihmën e nevojshme.

Gjithashtu, policia ka shoqëruar në komisariat dhe disa protestues të tjerë të “Shqipëria Bëhet”.

Në një prononcim të shkurtër, Lapaj është shprehur se do të rikthehet në shesh porsa të përfundojë protokollin shëndetësor të nevojshëm.

"Miq, mbrëmë pas mesnate dhjetëra forca të Edi Ramës u sulën të tërbuar mbi ne. I gjendur përballë dhunimit të së drejtës sime Kushtetuese për të shprehur mendimin tim përmes protestës, nuk kam lëvizur. Kam nisur të filmoj. Nga veprimet e tyre një prej ngrohëseve më ka goditur.

Ndodhem te Spitali i Traumës ku po kryej ekzaminimet. Sërish do kthehem në shesh. Edi Rama unë nuk të kam frikë. Përkundrazi! Ti je kreu i një bande dhe do mbash përgjegjësi.

I bëj thirrje kujtdo të bashkohet kundër hajdutëve!”, shkruan Lapaj në rrjetet sociale.

“Shqipëria Bëhet” mbajti dhe më herët gjatë së dielës një protestë përpara kryeministrisë, ku Adriatik Lapaj kërkoi largimin e qeverisë Rama dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Lapaj theksoi se nuk pret asnjë reflektim nga kryeministri, por apeloi për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe rezistencë të vazhdueshme në shesh.

“Nuk pres asnjë reflektim nga Rama. Ajo që pres është të ndërgjegjësojmë njerëzit duke u bërë shembull se protesta është rezistencë derisa realizohet e drejta”, u shpreh Lapaj.

Ai kritikoi mënyrën se si po trajtohen protestuesit dhe bëri thirrje për qëndresë të organizuar.

“Duhet të vendosen çadra se i merr era. Mua më vjen rëndë që na lënë me plastmas dhe jo me çadër. Kjo është mungesë e theksuar njerëzillëku”, tha ai.

Sipas Lapajt, protesta nuk duhet të shndërrohet në një betejë partiake, por në një kauzë qytetare që bashkon të gjithë shqiptarët.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)