“Belinda ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë”, Rama: Nuk ja kam pranuar, nuk janë plotësuar kushtet

Kryeministri Rama tha në mbledhjen e grupit të PS se ka qenë ai që nuk e ka pranuar dorëheqjen e zv.kryeministres Balluku, e cila sipas tij e ka dorëzuar 3 herë.

16.02.2026. 09:45

“Belinda ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë”, Rama: Nuk ja kam pranuar, nuk janë plotësuar kushtet

Kryeministri Edi Rama zbuloi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se zv.kryeministrja Belinda Balluku ia ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen që prej momentit e ngritjes së akuzave ndaj saj.

Rama sqaron se është ai që nuk e ka pranuar këtë dorëheqje teksa shtoi se zv.kryeministrja ka vijuar me detyrën e saj pavarësisht baltës dhe gjyqit popullor.

“Belinda Balluku ma ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen. 1 herë kur ju ngrit akuza, 1 herë kur ju bë pezullimi dhe pastaj kur nuk vendosi GJK. Ja kam refuzuar unë. Dorëheqje me presionin e një fuqie që ka hyrë në ekzekutiv nuk ka. Jam falënderues që ka vazhduar ta marrë atë baltë, pasi unë nuk e pranoj dorëheqjen deri sa të plotësohen kushtet. Dhe atë se përcakton balta, media dhe gjyqi popullor”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama, më herët, mbrojti nismën më të re ligjore për ndryshimin në ligjin e Kodit të Procedurës që ndalon pezullimin e ministrave nga prokuroria dhe gjykata.

Sipas kreut të qeverisë, duhet një kufi ndarës mes pushteteve të pavarura, teksa shtoi se në asnjë vend të botës nuk ka një rast të pezullimit të një anëtari qeverie nga gjykata.

Rama shtoi se pezullimi i një ministri nuk prek individin por funksionimin e një institucioni të tërë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)