Lapaj hipën mbi karotrec, përplasje mes aktivistëve të “Shqipëria Bëhet” dhe policisë para Kryeministrisë

Aktivistët kishin vendosur kartonë dhe karrige për t’u mbrojtur nga i ftohti, ndërsa një numër i konsiderueshëm efektivësh të policisë u afruan dhe i prishën këto struktura.

08.03.2026. 21:07

Lapaj hipën mbi karotrec, përplasje mes aktivistëve të “Shqipëria Bëhet” dhe policisë para Kryeministrisë

Protesta e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të drejtuar nga Adriatik Lapaj përpara Kryeministrisë ka agravuar edhe sot në përplasje mes aktivistëve dhe forcave të policisë.

Situata u tensionua pasi policia ndërhyri për të larguar strukturat e improvizuara që protestuesit kishin vendosur në trotuar, ku prej javësh qëndrojnë ditë e natë në formë proteste. Aktivistët kishin vendosur kartonë dhe karrige për t’u mbrojtur nga i ftohti, ndërsa një numër i konsiderueshëm efektivësh të policisë u afruan dhe i prishën këto struktura, duke marrë sendet dhe duke i ngarkuar në një automjet për t’i larguar nga zona.

Gjatë ndërhyrjes së policisë pati tension dhe nuk munguan shtyrjet mes protestuesve, vetë Lapajt dhe efektivëve. Nga pamjet në vendngjarje shihet se në një moment një prej aktivistëve është shoqëruar në komisariat.

Ndërkohë, në momentin kur kryeministri Edi Rama është larguar nga zyra, protestuesit e grumbulluar në bulevard kanë shpërthyer në thirrje kundër tij duke brohoritur: “Edi Rama o hajdut”.

Pas shoqërimit të aktivistit të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj së bashku me mbështetësit e tij janë nisur drejt Komisariatit Nr.1. Para ambienteve të komisariatit, protestuesit kanë vijuar me thirrjet e tyre, duke kërkuar lirimin e aktivistit të ndaluar.

“Lirojeni Mirelin”, dëgjohen të thërrasin aktivistët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, ndërsa njëkohësisht kanë hedhur akuza ndaj kryeministrit Rama, duke e akuzuar për korrupsion.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)