Fortlumturia e Tij, † Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë në mesazhin për Kreshmën e Madhe Të Pashkëve e cilëson këtë periudhë si një thirrje të qartë për të filluar udhëtimin drejt Zotit. “Le ta fillojmë udhëtimin”, tha ai në mesazhin e shpërndarë nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Aty nënvizohej se jeta e njeriut është në thelb një rrugëtim shpirtëror dhe se koha për ta nisur këtë rrugë është tani. Sipas Fortlumturisë së Tij, †Joani, pa pendim dhe pa një dëshirë të vërtetë për kthim te Zoti, nuk mund të ketë lëvizje të vërtetë shpirtërore.
Kryepiskopi u ndal veçanërisht te kriza e brendshme e njeriut modern, që sipas tij ka humbur vetveten duke kërkuar pasuri, pushtet dhe kënaqësi të përkohshme. Ai theksoi se etja për grumbullim material nuk e sjell lumturinë, përkundrazi e largon njeriun nga qëllimi i jetës. Duke kujtuar fjalët biblike “kotësi e kotësive”, ai vë në dukje se shpirti i njeriut nuk mund të gjejë prehje në gjërat kalimtare, por vetëm te Zoti.
Në përmbyllje, Kryepiskopi Joani thekson se Kreshma është një mundësi ripërtëritjeje dhe çlirimi të brendshëm. Kufizimet dhe sakrificat e kësaj periudhe nuk janë pengesa, por mjete për të rikthyer lirinë e vërtetë dhe për të rizgjuar mallin për Zotin. “Udhëtimi drejt Tij është burimi i gëzimit të vërtetë”, thekson ai, duke i ftuar besimtarët ta shfrytëzojnë këtë kohë për të rindezur jetën shpirtërore dhe për të rifituar kuptimin e humbur të ekzistencës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)