Situata e tensionuar në Iran pas sulmeve të nisura nga SHBA-ja dhe Izraeli ka sjellë pasoja të menjëhershme edhe në sport. Kampionati iranian i futbollit është ndërprerë, ndërsa pasiguria e krijuar ka vënë në vështirësi të mëdha lojtarët e huaj që aktivizohen në këtë vend.
Në radhët e ekipit të njohur iranian Esteghlal, pjesë e të cilit është edhe lojtari i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, klubi ka marrë masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së futbollistëve të huaj.
Asani u aktivizua vetëm një ditë më parë në përballjen ndaj Fajr Sepasi, por zhvillimet e fundit kanë ndryshuar rrënjësisht situatën. Drejtuesit e Esteghlal kanë vendosur që lojtarët e huaj të largohen nga Irani dhe të kthehen në vendet e tyre përkatëse.
Për shkak të kushteve të sigurisë dhe pezullimit të fluturimeve, udhëtimi do të realizohet nëpërmjet rrugëve tokësore drejt vendeve fqinje.
Bëhet fjalë për një itinerar të gjatë, mbi 2100 kilometra nga Teherani, por klubi ka theksuar se prioritet absolut mbetet siguria e futbollistëve. Situata mbetet dinamike, ndërsa zhvillimet e mëtejshme pritet të përcaktojnë edhe fatin e sezonit futbollistik në Iran.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)