Ancelotti zgjedh Neymar për Kupën e Botës, tifozët shpërthejnë në ovacione

Tekniku i kishte dilema deri në momentin e fundit, zgjodhi yllin e skuadrës dhe la në shtëpi talentin e Chelsea, João Pedro.

19.05.2026. 09:16

Ancelotti zgjedh Neymar për Kupën e Botës, tifozët shpërthejnë në ovacione

Carlo Ancelotti ka marrë atë që mund të cilësohet pa frikë vendimi më i rëndësishëm deri në momente në krye të përfaqësueses së Brazilit. Trajneri dhe stafi i tij kishin përgatitur dy lista të ndryshme të Kombëtares, për skuadrën që do të marrë pjesë në Botërorin 2026.

Në njërën listë ishte emri i Neymar, ndërsa në listën tjetër, vendin e yllit 34-vjeçar do ta merrte João Pedro. Sipas raportimeve, dilema u krijua pas ndeshjes së fundit të Santos, ku Neymar ndjeu shqetësime në pulpë, çka e detyroi stafin mjekësor të kryente ekzaminime të tjera për të kuptuar shkallën e dëmtimit.

Ancelotti më herët e kishte marrë vendimin për ta marrë Neymarin në Kupën e Botës, por situata u komplikua nga dyshimet mbi shkallën e dëmtimit dhe mundësinë që ai të rikuperohej në kohë. Kjo situatë e krijuar, bëri që Brazili të përgatiste dy variante të listës zyrtare, ndërsa Ancelotti i kishte të dyja me vete edhe në konferencën për shtyp, në rast se do të ndryshonte mendim në çastet e fundit.

Diagnoza e Neymarit shkaktoi tension brenda kampit të Kombëtares, por pas sinjaleve pozitive nga stafi mjekësor, trajneri italian vendosi përfundimisht ta përfshijë yllin brazilian në listë, duke lënë jashtë João Pedro. Në momentin e anonçimit të sulmuesit, tifozët shpërthyen në ovacione të jashtëzakonshme, duke e ndërprerë për disa çaste konferencën ku Ancelotti zbuloi ekipin zyrtar të “seleçaos”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)