Maran nis revolucionin te Shqipëria, italiani sjell stafin e ri në Kombëtare, zbulohet skema e preferuar

Me ardhjen e teknikut 62-vjeçar ndryshon edhe stafi teknik i Shqipërisë. Bashkë me largimin e Sylvinhos janë mbyllur edhe angazhimet e ndihmësve të tij, mes tyre edhe Pablo Zabaleta. Maran ka vendosur të sjellë në Tiranë një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Christian Maraner.

19.05.2026. 17:14

Maran nis revolucionin te Shqipëria, italiani sjell stafin e ri në Kombëtare, zbulohet skema e preferuar

Një kapitull i ri ka nisur për Kombëtaren shqiptare të futbollit. Pas përfundimit të bashkëpunimit me brazilianin Sylvinho, Federata Shqiptare e Futbollit i ka besuar pankinën kuqezi trajnerit italian Rolando Maran, i cili u prezantua zyrtarisht nga presidenti Armand Duka.

Me ardhjen e teknikut 62-vjeçar ndryshon edhe stafi teknik i Shqipërisë. Bashkë me largimin e Sylvinhos janë mbyllur edhe angazhimet e ndihmësve të tij, mes tyre edhe Pablo Zabaleta. Ndërkohë, Maran ka vendosur të sjellë në Tiranë një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Christian Maraner.

Italiani ka qenë pjesë e stafit të Maran në disa skuadra të njohura italiane si Vareze, Katania, Kievo, Kaljari, Xhenova, Piza dhe së fundmi te Breshia, duke u konsideruar si një nga njerëzit më të besuar të trajnerit të ri të kuqezinjve.

Ndryshime priten edhe në aspektin taktik. Maran njihet për preferencën e tij ndaj skemës 4-3-1-2, një rreshtim që ndryshon ndjeshëm nga filozofia e Sylvinhos, pasi gjatë 34 ndeshjeve në krye të Shqipërisë, braziliani përdori kryesisht skemat 4-1-4-1, 4-2-3-1 dhe 4-3-3.

Për Maran kjo do të jetë eksperienca e parë jashtë Italisë dhe njëkohësisht aventura e tij e parë në drejtimin e një kombëtareje. FSHF bëri të ditur se trajneri italian ka firmosur një kontratë deri në fund të vitit 2027, me objektiva të qarta për Nations League dhe kualifikimin në Euro 2028.

Presidenti Armand Duka zbuloi në konferencën për shtyp se marrëveshja është firmosur vetëm pak minuta para prezantimit zyrtar.

“Kontrata është e thjeshtë. Objektivat janë vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi në Euro 2028. Marrëveshja zgjat deri në atë periudhë”, deklaroi kreu i FSHF-së.

Ashtu si në marrëveshjen me Sylvinhon, edhe kontrata e Maran parashikon mundësi rinovimi automatik në rast se Shqipëria siguron një vend në fazën “play-off” të Europianit 2028.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)