Parajsa në tokë pushtohet nga plehrat dhe aromat e këqija

Prej muajit prill autoritetet indoneziane kanë nisur zbatimin e një ligji të miratuar prej vitesh, i cili ndalon depozitimin e mbeturinave në landfille të hapura, duke sjellë grumbullim të tyre në shumë zona të ishullit.

07.05.2026. 14:17

Parajsa në tokë pushtohet nga plehrat dhe aromat e këqija

Një krizë e vërtetë mbetjesh. Një prej vendeve më piktoreske në glob, që cilësohet edhe si “Parajsa në tokë” po përballet me një alarm ambientalist. Ishulli turistik i Balit po përjeton një situatë alarmante me mbetjet, pasi prej muajit prill autoritetet indoneziane kanë nisur zbatimin e një ligji të miratuar prej vitesh, i cili ndalon depozitimin e mbeturinave në landfille të hapura.

Megjithatë, ndonëse ndalimi ka hyrë në fuqi, qeveria nuk ka ofruar alternativa të mjaftueshme për trajtimin e mbetjeve, duke sjellë grumbullim të tyre në shumë zona të ishullit. Si pasojë, mbeturinat po krijojnë erë të rëndë, po tërheqin minj dhe në disa raste po digjen ilegalisht, duke prodhuar tym të dëmshëm për shëndetin.

Sipas agjencisë “France Presse”, në Bali prodhohen rreth 3.400 tonë mbeturina në ditë, nga 4.4 milionë banorë dhe miliona turistë. Vetëm vitin e kaluar, ishulli priti rreth 7 milionë vizitorë. Një tregtare lokale, Yuvita Anggi Prinanda ka deklaruar se është e detyruar të paguajë nga xhepi kompani private për të larguar mbetjet pranë biznesit të saj, ndërsa ka shtuar se shumë klientë largohen për shkak të erës së keqe.

Foto ilustruese

Në plazhin e njohur të Kutës, i cili shpesh mbulohet nga mbetje plastike të sjella nga deti, qeset e plehrave po grumbullohen në parkingje. Një turist australian e përshkroi situatën si “jo të këndshme”, duke theksuar se gjatë natës shfaqen shumë minj. Autoritetet paralajmërojnë se kushdo që kapet duke hedhur ose djegur mbeturina rrezikon deri në tre muaj burg dhe një gjobë prej 50 milionë rupish (rreth 2.500 euro).

Më 16 prill, qindra punëtorë të pastrimit protestuan duke çuar kamionët me mbeturina pranë zyrës së guvernatorit, duke kërkuar zgjidhje konkrete. Pas presionit, autoritetet lejuan depozitimin e kufizuar të mbetjeve në landfillin e Suwung në Denpasar deri në fund të korrikut, por qeveria ka paralajmëruar se nga gushti do të mbyllen të gjitha landfillet e hapura në nivel kombëtar.

Foto ilustruese

Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se landfilli Suwung është prej kohësh i mbingarkuar dhe se rreth 70% e mbetjeve janë organike, të cilat me kalimin e kohës prodhojnë metan dhe mund të shkaktojnë shpërthime ose rrëshqitje dheu. Një incident i tillë ndodhi në mars pranë Xhakartës, kur shembja e një landfilli shkaktoi vdekjen e shtatë personave. Sipas ekspertëve, zgjidhja afatgjatë mbetet trajtimi i mbetjeve organike përmes kompostimit dhe ndërgjegjësimit masiv të popullsisë.

Autoritetet lokale në Denpasar kanë nisur shpërndarjen e kompostierëve dhe fushata informuese, por sfida mbetet e madhe. Në të gjithë Indonezinë prodhohen mbi 40 milionë tonë mbetje në vit, ku rreth 40% janë mbetje ushqimore dhe gati një e pesta plastikë. Vetëm një e treta riciklohet ose trajtohet, ndërsa pjesa tjetër përfundon në natyrë. Qeveria ka paralajmëruar nisjen e disa projekteve të inceneratorëve që nga qershori, përfshirë edhe një në Bali, por ekspertët thonë se realizimi i tyre mund të kërkojë vite.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)