Dyshime për manipulime me votën për kandidatët, KQZ vendos rinumërim të 914 QV-ve në Kosovë

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur rinumërimin e 914 vendvotimeve pas dyshimeve për manipulim me votat për kandidatët brenda partive politike.

13.01.2026. 16:58

Dyshime për manipulime me votën për kandidatët, KQZ vendos rinumërim të 914 QV-ve në Kosovë

Votat për kandidatë brenda partive politike në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë do të rinumërohen në 914 vendvotime, pas dyshimeve se janë kryer manipulime, sepse janë konstatuar mospërputhje në numërimin e tyre.

KQZ sqaroi se rinumërimi do të bëhet në tërësi në 10 komuna të vendit, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohen vetëm 10% e vendvotimeve. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka paralajmëruar se nëse pas rinumërimit konstatohen manipulime me votat e kandidatëve, rastet do të procedohen në organet kompetente dhe do të përfshijnë anëtarët e ekipeve të numërimit.

“Raporti i Sekretariatit të KQZ-së (SKQZ) gjatë kontrollit të videoincizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit kishte evidentuar mospërputhje mes votave të numëruara dhe atyre të shënuara në fletëvotime”, sqaroi KQZ-ja në Kosovë.

Më pas, SKQZ-ja ka kryer verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve në 2 për qind të vendvotimeve, ose 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës. “Kuptohet se deri më 12 janar janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhen me ato të evidentuara në fletëvotime”, shprehen nga KQZ-ja.

Në bazë të këtyre gjetjeve, KQZ-ja ka vendosur që rinumërimi i të gjitha vendvotimeve të bëhet në komunat: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

Ndërsa në 28 komunat e tjera do të rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve. Këto janë Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Rinumërimi do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe nis nga sot në orën 18:00.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)