Sistemi i kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri do të vijojë funksionimin pa ndërprerje gjatë periudhës së festave të fundvitit, për të siguruar shërbime të menjëhershme dhe të sigurta për qytetarët, njoftuan autoritetet shëndetësore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka zhvilluar një takim me drejtuesit dhe përfaqësuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), ku janë diskutuar masat për koordinimin e shërbimeve dhe për rritjen e gatishmërisë gjatë ditëve festive.
Sipas Ministrisë, OSHKSH drejton një rrjet të gjerë shëndetësor, që përfshin katër drejtoritë rajonale, 36 njësi vendore, spitale rajonale, bashkiake dhe ditore, si dhe 362 qendra shëndetësore, duke luajtur një rol kyç në ofrimin e kujdesit shëndetësor në mbarë vendin.
Autoritetet kanë theksuar se strukturat shëndetësore do të jenë në gatishmëri të lartë për të menaxhuar çdo urgjencë dhe për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë festave.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)