Protesta e fermerëve grekë bllokon sërish aksin Kakavijë-Janinë

Për shkak të protestës që zhvillojnë fermerët në Greqi, aksi rrugor Kakavijë-Janinë nuk do të jetë funksional për qarkullimin e automjeteve nga ora 18:00 deri në orën 21:00, me orën shqiptare.

26.12.2025. 09:34

Protesta e fermerëve grekë bllokon sërish aksin Kakavijë-Janinë

Aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të bllokohet sërish mbrëmjen e sotme. Policia Kufitare bën me dije se kjo nyje nevralgjike për lëvizjen në kufirin greko-shqiptar, do të jetë e pakalueshme për automjetet nga ora 18:00 deri në 21:00 me orën shqiptare, për shkak të protestave që po zhvillojnë fermerët në Greqi.

Policia njofton se bllokimi do të ndodhë në kryqëzimin e fshatit Kallpaq dhe do të lejohet vetëm kalimi i mjeteve me emergjenca shëndetësore.

Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe i këshillojnë të planifikojnë udhëtimet e tyre në orare të tjera të ditës, për të shmangur vonesat dhe bllokimet.

Bllokimi i këtij aksi vjen në kohën kur shumë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kthehen pranë familjeve të tyre për të festuar natën e ndërrimit të viteve.

Krishtlindjet dhe festat e fundvitit, si gjithmonë kanë sjellë fluks të shtuar në pikën kufitare të Kakavijës, ku vetëm dy ditë më parë në Kakavijë qindra automjete u bllokuan në pritje për të hyrë në Shqipëri nga Greqia.

Radha e makinave shtrihej për disa kilometra, ndërsa puna me një numër të kufizuar sportelesh nga pala greke në doganë krijoi vonesa të konsiderueshme për udhëtarët.

Sakaq, Greqia prej rreth katër javësh po përballet me protesta të vazhdueshme të fermerëve, të cilët kanë bllokuar disa akse kombëtare në shenjë pakënaqësie për vonesat në dhënien e subvencioneve të Bashkimit Evropian, pas një skandali korrupsioni.

Fermerët kanë paralajmëruar se do t’i intensifikojnë protestat nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga qeveria.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)