Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, njoftoi pas mbledhjes së qeverisë se procesi për shpalljen e zonave prioritare në kuadër të Paketës së Maleve po avancon me ritme të qëndrueshme.
Sipas tij, katër bashki të tjera kanë miratuar zonat përkatëse, duke e çuar në 40 numrin total të bashkive të përfshira. Në një deklaratë për mediat Demo tha se hapi i radhës do të jetë miratimi i tyre në këshillat bashkiakë.
“Sot kemi vazhduar miratimin e zonave prioritare të bashkive. Janë 4 bashki të tjera që kanë miratuar zonat prioritare. Tashmë shkojmë në numrin 40 të bashkive. Siç e kemi përmendur dhe më parë, Paketa e Maleve vijon që të ketë një interes të shtuar për sa i përket aplikantëve në të gjithë territorin në 40 bashkitë që tashmë kanë shpallur zonat prioritare. Një pjesë e mirë e bashkive shumë shpejt do të vazhdojë me miratimin në këshillat bashkiakë dhe ky proces do të vijojë javë pas jave. Do të vazhdojmë me ritme të shpejta.”
Ai theksoi se interesi për këtë paketë është në rritje, jo vetëm nga banorët e zonave rurale, por edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe kanë lidhje me këto zona, të cilët kryeministri Edi Rama i ka ftuar të investojnë në tokën e tyre.
“Ajo çfarë konstatojmë është se ka një interes të shtuar të banorëve të zonave përkatëse, sidomos për zhvillimin e ekonomisë rurale, por ka edhe një interes të shtuar të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Besoj dhe me miratimin e katër bashkive të fundit do të vazhdojmë me ritme më të shpejta për sa i përket aplikimeve në territor”, u shpreh Demo.
Për ‘Paketën e Maleve’, kryeministri Edi Rama tha pak ditë më parë se është një nismë që zgjidh problemin e pronësisë të trashëguar nga ligji 7501, kryesisht në zonatveri dhe verilindore të vendit, duke u dhënë mundësi qytetarëve të investojnë edhe pa tituj pronësie fillestare.
“Paketa e Maleve ka lindur nga nevoja për t’i dhënë drejtim një problemi shumë të madh, që e ka origjinën te ligji 7501 dhe te konflikti i shumë familjeve në zona të caktuara të vendit, kryesisht në veri dhe verilindje, që nuk e kanë njohur 7501 si një instrument të vlefshëm për tokën e tyre. Problemi i trashëguar është që këta njerëz e kanë të pamundur të kenë akses në financa dhe të ndërtojnë në mënyrë të ligjshme, sepse nuk kanë një titull pronësie”, tha kryeministri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)