Tensionet mes ortakëve të Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës kanë shpërthyer këtë të hënë direkt në kantierin e punimeve, duke sjellë përplasje mes kompanive të biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi. Situata ka paralizuar hyrje-daljet në aeroport dhe ka ngritur shqetësime për vijimin e punimeve në një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Sipas informacioneve, kompania “2A Group” e Valon Ademit ka penguar hyrjen në kantier të rreth 200 punonjësve të kompanisë “Mabco Constructions”, në pronësi të Pacollit, si dhe të nënkontraktorëve të saj. Nga ana tjetër, punonjësit e “Mabco” kanë bllokuar hyrjen e aeroportit, duke penguar lëvizjen e mjeteve në zonë.
Përplasja vjen pas një beteje gjyqësore mes dy ortakëve të shoqërisë “Vlora International Airport-VIA”, ku Gjykata e Apelit i ka njohur Valon Ademit të drejtën e administrimit të aeroportit deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes. Konflikti lidhet me përqindjen e aksioneve dhe administrimin e projektit koncesionar.
Përfaqësuesi i “Mabco”, Ismet Pacolli, deklaroi se punonjësit nuk kishin marrë asnjë njoftim zyrtar për pezullimin e hyrjes në kantier dhe se situata po dëmton veçanërisht nënkontraktorët që kanë afate për përfundimin e punimeve deri në fund të gushtit.
“Ne kemi problemin me nënkontraktorët që janë të pafajshëm. Ata duan të bëjnë punën e tyre dhe nuk kanë lidhje me konfliktin mes ortakëve”, tha ai.
Nga ana tjetër, ekipi ligjor i Behgjet Pacollit e cilësoi situatën “plotësisht të paligjshme dhe në kufijtë e veprimeve penale”, duke pretenduar se pengimi i punonjësve po kryhet nga persona që veprojnë në emër të një administratori “ilegjitim”. Avokatët njoftuan se i janë drejtuar Prokurorisë së Vlorës, Kryeministrit dhe Ministrisë së Infrastrukturës për ndërhyrje urgjente.
“Kjo situatë po rrezikon sigurinë në kantier, vijimësinë e punimeve dhe interesin publik të projektit”, thuhet në deklaratën zyrtare të “Mabco Constructions”.
Ndërkohë, konflikti mes palëve po hetohet edhe nga organet e drejtësisë. Përveç çështjeve civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ndaj Behgjet Pacollit, Emin Pacollit dhe administratorit Nelson Çela për dyshime mbi mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të tjera. Paralelisht, SPAK po heton procedurat e koncesionit të aeroportit të Vlorës për shkelje të mundshme ligjore gjatë shpalljes së fituesit të projektit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)