Policia e Tiranës ka arritur të zbardhë ngjarjen e eksplozivit të vendosur më 10 mars në një automjet në kryeqytet. Bëhet fjalë për një grupi të strukturuar kriminal, dhe porosia ka ardhur nga një i burgosur në burgun e Fushë Krujës.
Gjithashtu janë sekuestruar biçikleta e përdorur në ngjarje, rrobat e autorit të përdorura gjatë saj, automjetet me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit dhe aparatet celularë të tyre.
"Ndërkohë, Shtetasi S. N., aktualisht në IEVP Fushë-Krujë, i akuzuar për vepra të rënda kriminale, dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e shtetasit O. K", thotë policia.
NJOFTIMI I PLOTE
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”.
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 10.03.2026, në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në automjetin në pronësi të një shtetasi.
Vihen në pranga 7 shtetas, të përfshirë në ngjarje, në formën e një grupi të strukturuar kriminal, shtetas me precedent të theksuar kriminal.
Sekuestrohen biçikleta e përdorur në ngjarje, rrobat e autorit të përdorura gjatë saj, automjetet me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit dhe aparatet celularë të tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku në automjetin në pronësi të shtetasit O. K. shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar operacionin policor “Porosia”, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në akse të ndryshme rrugore përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.
Në vijim të veprimeve proceduriale për këtë rast:
-u ndaluan shtetasit J. G., 32 vjeç, R. B., 25 vjeç, K. A., 24 vjeç dhe E. L., 27 vjeç, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim;
-u ndaluan shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim;
-u bë ndalimi me iniciativë për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” ndaj shtetasit S. N., 33 vjeç, aktualisht në IEVP.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi J. G. është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive, i cili është ndihmuar nga shtetasit K. A., R. B. dhe E. L., duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur. Ndërkohë, Shtetasi S. N., aktualisht në IEVP Fushë-Krujë, i akuzuar për vepra të rënda kriminale, dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e shtetasit O. K.
Më tej, shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, kanë transportuar me automjet, më datë 10.03.2026 autorin e vendosjes së eksplozivit, shtetasin J. G.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)