Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër lidhur me situatën e krijuar në projektin e Aeroportit të Vlorës, duke akuzuar ish-bashkëpunëtorin dhe ish-ortakun e tij, Valon Lluka, për tradhti, falsifikim dokumentesh dhe tentativa për tjetërsim prone.
Përmes një deklarate publike, Pacolli e lidhi incidentin dhe tensionet e fundit në Vlorë me atë që ai e cilësoi si “terrorizim nga grupe kriminale” ndaj punonjësve të kompanisë investitore “Mabco”, e cila sipas tij ka investuar mbi 300 milionë euro në projektin e aeroportit.
Ai pretendon se situata është nxitur edhe nga “vendime gjyqësore të përkohshme, joligjore dhe jokushtetuese”, ndërsa përgjegjës kryesor për konfliktin konsideron ish-bashkëpunëtorin e tij, Valon Lluka.
“Nuk të mjaftonte paga prej 30 mijë eurosh, por fute duart edhe te tjetërsimi i pronës që nuk është e jotja”, shprehet Pacolli në reagimin e tij, ku akuzon Llukën se ka shitur prona të huaja dhe ka falsifikuar dokumente, vula dhe akte të tjera.
Sipas Pacollit, Lluka ka qenë pjesë e grupit “Mabetex” për 18 vite, duke mbajtur funksione të ndryshme drejtuese, ndërsa shton se zbulimi i pretenduar i shkeljeve është bërë vetëm pas disa muajsh, për shkak të besimit që kishte ndaj tij.
“Ti përbuze të gjitha: përbuze bujarinë dhe shtëpinë time. Mos harro se drejtësia, herët a vonë, vjen si rrufeja”, përfundon deklarata e biznesmenit.
Deklarata e Pacollit vjen pas tensioneve dhe incidenteve të raportuara në zonën e Aeroportit të Vlorës, ku prej muajsh vijojnë përplasjet lidhur me pronësinë dhe administrimin e projektit strategjik. Ndërkohë që ditën e sotme punonjësit e kompanisë së Llukës nuk lejuan ata të Pacollit që të hyjnë në kantier e të vijojnë punën.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)