Çështja “Negreira”, Prokuroria zbulon faturat e dyshimta të Barcelonës

Sipas dyshimeve, ish-zv.presidenti i Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë, ka përfituar mbi 7 milionë euro nga klubi katalanas.

25.12.2025. 16:36

Çështja “Negreira”, Prokuroria zbulon faturat e dyshimta të Barcelonës

Barcelona vijon të mbetet në vorbullën e skandalit për ndikim të gjyqtarët prej fillimit të viteve 2000. Sipas dokumenteve gjyqësore të Prokurorisë së Spanjës, së fundmi janë bërë publike disa fatura të dyshimta.

Autoritetet, por edhe rivalët sportivë të kryesuar nga Real Madrid, akuzojnë se ato fatura e lidhin klubin katalanas me pagesat për ish-zv.presidentin e Komitetit Teknik të Arbitrave, José María Enríquez Negreira. Sipas dyshimeve, ky i fundit ka përfituar mbi 7 milionë euro, ndërsa faturat përmbajnë shërbime të dyshimta dhe kanë mospërputhje serioze në kohë.

Mes faturave të dyshimta tyre përfshihen:

*60.900 euro në vitin 2005 për paketa dhuratash me Aloe Vera.

*139.200 euro më 4 qershor 2010 për regjistrimin dhe përzgjedhjen e aksioneve nga Kupa e Botës 2010, para se turneu të kishte nisur.

*145.200 euro më 17 qershor 2014 për regjistrimin dhe analizimin e ndeshjeve të Kupës së Botës 2014, e cila sapo kishte nisur dhe përfundoi në korrik.

*90.750 euro më 4 qershor 2016 për regjistrimin e ndeshjeve dhe përzgjedhjen e aksioneve nga EURO 2016, ndonëse turneu nuk kishte nisur ende.

*90.750 euro më 7 qershor 2018 për regjistrimin dhe analizimin e ndeshjeve të Kupës së Botës 2018, e cila nuk kishte filluar ende në atë moment.

*141.600 euro më 15 qershor 2018 për shërbime që lidhen me EURO 2012, një turne që kishte përfunduar gjashtë vite më parë.

Sipas Prokurorisë, Barcelona ka kryer gjithashtu pagesa ndaj ish-zv.presidentit të arbitrave përmes kompanive të tjera. Bëhet fjalë për një kompani të regjistruar në emër të djalit të Negreirës, për qëllime të ashtuquajtura “edukative”. Një tjetër kompani e lidhur me ish-drejtuesin e Barcelonës, Josep Contreras, për punime të dyshimta rinovimi. Prokuroria i konsideron këto transaksione pjesë të një skeme më të gjerë që po hetohet, për të verifikuar nëse pagesat fshehin ndikim të paligjshëm ose shërbime fiktive.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)