Klubi anglez i Bournemouth ka pezulluar mbrojtësin Alex Jimenez, ndërsa po zhvillon një hetim të brendshëm lidhur me disa postime që po qarkullojnë në rrjetet sociale, ku lojtari pretendohet se ka shkëmbyer mesazhe telefonike me një vajzë të mitur.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar të premten, Bournemouth konfirmoi se 21-vjeçari spanjoll nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e Premier League ndaj Fulhamit.
“Bournemouth është në dijeni të postimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe që përfshijnë mbrojtësin e djathtë Alex Jimenez. Klubi e kupton seriozitetin e situatës dhe aktualisht po zhvillon verifikimet përkatëse”, thuhet në reagimin e klubit.
Drejtuesit nuk kanë dhënë detaje mbi përmbajtjen e postimeve apo arsyet konkrete të hetimit, duke shtuar se nuk do të ketë komente të tjera deri në përfundim të procesit.
Jimenez iu bashkua Bournemouth verën e kaluar nga Milani fillimisht në formë huazimi, ndërsa në muajin shkurt transferimi i tij u bë përfundimtar. Futbollisti firmosi një kontratë afatgjatë me klubin anglez deri në vitin 2031.
Gjatë këtij sezoni, mbrojtësi spanjoll ka zhvilluar 32 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe ka realizuar një gol në fitoren 3-2 të Bournemouth ndaj Liverpoolit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)