Sportistët në Olimpiadë morën telefona falas, rusëve i dhanë shampo e pastë dhëmbësh

Shpërndarja e pajisjeve elektronike me vlerë të lartë tek atletët nga vende të përfshira në regjime sanksionesh, rrezikon të cilësohet shkelje e rregullave ndërkombëtare të tregtisë dhe kontrollit të eksporteve.

18.02.2026. 22:54

Sportistët në Olimpiadë morën telefona falas, rusëve i dhanë shampo e pastë dhëmbësh

Atletët rusë që po garojnë në Olimpiadën Dimërore në Itali nuk kanë marrë telefonat ekskluzivë, që zakonisht u dhurohen sportistëve nga sponsori zyrtar i Lojërave, “Samsung”. Sipas raportimeve, kompania kishte përgatitur modelin special Samsung Galaxy Z Flip7 “Olympic Edition”, i cili tradicionalisht shpërndahet falas për të gjithë atletët pjesëmarrës si pjesë e paketës së mirëseardhjes.

Megjithatë, sportistët rusë nuk ishin përfshirë në këtë shpërndarje dhuratash. Në vend të telefonave inteligjentë, atyre u janë dhënë produkte bazë si shampo, pastë dhëmbësh dhe suvenire të tjera simbolike. Ata po garojnë nën status neutral, për shkak të masave dhe sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë.

Sipas shpjegimeve zyrtare nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, shpërndarja e pajisjeve elektronike me vlerë të lartë tek atletët nga vende të përfshira në regjime sanksionesh, rrezikon të cilësohet shkelje e rregullave ndërkombëtare të tregtisë dhe kontrollit të eksporteve. Nga ana tjetër, “Samsung” ka theksuar se vepron në përputhje me rregulloret ligjore dhe se shpërndarja e pajisjeve bëhet në koordinim me organizatorët e Lojërave.

Disa atletë rusë e kanë bërë publike përmbajtjen e paketave të tyre, duke treguar dallimin mes dhuratave të marra nga ata dhe dhuratat që kanë marrë sportistët e tjerë. Megjithatë, shumica kanë theksuar se prioriteti i tyre mbetet gara sportive dhe jo dhuratat promocionale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)