Një avion cisternë amerikan KC-135, i angazhuar në operacionet ushtarake kundër Iranit, është rrëzuar në Irak. Lajmi është bërë i ditur nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë zyrtare, CENTCOM sqaroi se incidenti përfshinte dy avionë dhe ka ndodhur “në hapësirë ajrore mike”. Sipas njoftimit, njëri prej avionëve është rrëzuar, ndërsa tjetri ka arritur të ulet në mënyrë të sigurt. Avioni i dytë pësoi dëmtime serioze në ajër, duke humbur gjysmën e bishtit, por arriti të kryejë një ulje emergjente në aeroportin 'Ben Gurion', në Izrael.
Komanda ushtarake theksoi se incidenti nuk është shkaktuar as nga zjarri armik dhe as nga zjarri miqësor. Autoritetet amerikane po hetojnë rrethanat e ngjarjes.
Sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë, ekipe shpëtimi janë dërguar në vendin e rrëzimit. Nga aksidenti i avionit KC-135 humbën jetën 4 nga 6 anëtarët e ekuipazhit që ndodheshin në bord.
"Më 12 mars, afërsisht në orën 14:00 (Ora Lindore), një avion amerikan i furnizimit me karburant KC-135 u rrëzua në Irakun perëndimor. Katër nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit në bord të avionit janë konfirmuar të vdekur, ndërsa përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar. Rrethanat e incidentit janë nën hetim. Megjithatë, humbja e avionit nuk ishte për shkak të zjarrit armik. Identitetet e anëtarëve të ekuipazhit nuk do të publikohen deri në 24 orë pasi të jenë njoftuar të afërmit më të afërt", thuhet në deklaratën e CENTCOM.
Me këtë incident numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në konfliktin në Lindjen e Mesme është rritur në 11.
Para këtij incidenti, gjashtë ushtarë amerikanë u vranë më 1 mars gjatë një sulmi në portin e Shuaiba në Kuvajt. Një tjetër ushtar ndërroi jetë të shtunën nga plagët e marra në një sulm të ndodhur më herët këtë muaj në Arabinë Saudite.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)