Nuk ka paqe mes qeverisë dhe fermerëve në Greqi. Kryeministri helen, Qiriakos Micotaqis në mbledhjen e fundit të kabinetit për vitin 2025 ka deklaruar se qeveria e tij nuk shantazhohet dhe i ka bërë thirrje Policisë Rrugore që të lirojë autostradat e bllokuara nga traktorët dhe mjetet e tjera bujqësore.
Duke qenë se fluksi i lëvizjes nga Athina në drejtim të rajoneve të tjera greke për Krishtlindje do të jetë i lartë, Micotaqis sqaroi se lëvizjen e parë për lirimin e rrugëve duhet ta bëjë Policia Rrugore dhe sipas shefit të qeverisë helene “siguria e udhëtarëve është përparësia e parë dhe e panegociueshme".
“Qeveria nuk do të diskriminojë asnjë grup shoqëror, por korniza e aftësive të qeverisë është përcaktuar me qartësi absolute. Shpresoj që mobilizimet e fermerëve të pakësohen. Edhe dje patëm disbursime, javën tjetër të gjitha pagesat prej 3.8 miliardë eurosh do të përfundojnë. Nga 27 kërkesat, 20 janë zgjidhur ose mund të diskutohen dhe vendi po fiton një mënyrë të drejtë kompensimi në vend të një sistemi që ishte i falimentuar. Ka ardhur radha e përgjegjësisë së përbashkët ndaj shoqërisë, lëvizjet që duhet të jenë të lira, tregjet lokale, destinacionet dimërore dhe dhjetëra mijëra udhëtarë, të cilët nuk duhet të shqetësohen dhe as të rrezikojmë një aksident trafiku në rrugë anësore të rrezikshme. Fjala e parë për rrugët i është dhënë policisë së trafikut dhe autoritetit rrugor. Qeveria nuk do t'i nënshtrohet shantazhit”, tha Micotaqis.
Ndërkohë, në krahun tjetër fermerët kanë dërguar mesazhet e tyre duke mbajtur të bllokuara nyjet nevralgjike të qarkullimit si në Thesali, Greqinë Qendrore dhe Veriore.
Një nga bllokadat qendrore sipas mediave greke është në Nikaia të Larisës. Në të njëjtën kohë, fermerët në Kardhicë dhe Trikala kanë rreshtuar traktorët e tyre në autostradën e Greqisë Qendrore - E65.
Sakaq në rrugën kombëtare Athinë-Lamia, fermerët janë në zbritje për në kryeqytet dhe trafiku është shpërndarë në rrugët dytësore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)