Qarkullimi i automjeteve në segmentin rrugor Qafë Thore – Theth, është pezulluar për shkak të rrezikut të lartë nga ortekët e dëborës, si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Vendimi është marrë pas një analize të detajuar të riskut nga policia me inxhinierët e firmës kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës, si edhe me Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Sipas njoftimit zyrtar, ky segment do të qëndrojë i bllokuar deri në një njoftim të dytë. Për arsye sigurie, ndalohet qarkullimi për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese, pasi zona paraqet rrezik të lartë për shkak të mundësisë së rënies së ortekëve.
Policia thekson se masa është ndërmarrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
“Bazuar në analizën e riskut dhe pas komunikimit me inxhinierët e firmës kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës dhe ARRSH-në, në segmentin rrugor ‘Qafë Thore – Theth’, për shkak të rrezikut nga ortekët e dëborës si pasojë e kushteve të përkeqësuara atmosferike, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, pasi rrezikshmëria është e lartë", njofton policia.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, të shmangin këtë aks dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për përditësime të mëtejshme mbi situatën.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)