Paralajmërimi nga Ambasada Amerikane për kërcënime të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin në territorin e Shqipërisë ka vënë në lëvizje autoritetet, të cilat kanë shtuar masat e sigurisë.
Strukturat e sigurisë në vend kanë vepruar duke rritur praninë e forcave të Antiterrorit në terren dhe shtimin e kontrolleve pranë ambasadave, kampit “Ashraf 3” në Manëz dhe hapësirave të tjera publike në Shqipëri.
Burime bëjnë me dije se njësitë e Antiterrorit kanë intensifikuar monitorimin në terren, duke vendosur në fokus objekte me ndjeshmëri të lartë, përfshirë edhe ambasadat e SHBA-së dhe Izraelit, si dhe kampin e muxhahedinëve në Manzë.
Në kuadër të këtyre masave, pritet edhe shtim i dukshëm i forcave policore në pika kyçe.
Alarmi u dha një ditë më parë nga Ambasada Amerikane, e cila përmes një njoftimi publik paralajmëroi se grupe të lidhura me Iranin mund të synojnë objekte të lidhura me interesat amerikane, por edhe hapësira publike në Shqipëri.
"Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar", thuhej në njoftim.
Pas këtij zhvillimi, strukturat e Antiterrorit kanë zhvilluar takime koordinuese me përfaqësues të ambasadave amerikane dhe izraelite, me qëllim rritjen e gatishmërisë dhe përballimin e çdo skenari të mundshëm.
Pjesë e këtij operacioni është edhe SHISH, i cili në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po monitoron situatën dhe po forcon masat e sigurisë për mbrojtjen e objekteve diplomatike dhe zonave me frekuentim të lartë.
Edhe pse plani i masave kishte nisur më herët, paralajmërimi i fundit ka rritur ndjeshëm nivelin e alarmit dhe ka intensifikuar analizën e rrezikut në vend.
Që kur nisën sulmet para vetë opozita iraniane që ndodhet në kampin 'Ashraf 3' në Manzë reagoi duke i cilësuar si propagandë raportimet për një sulm të mundshëm me raketa ndaj këtij kampi.
“Lajmet e publikuara nga Irani për mundësinë e një sulmi me raketa ndaj Ashraf 3 dhe mbulimi i tyre në disa media shqiptare janë thjesht propagandë e orkestruar nga regjimi iranian. Kjo po bëhet për qëllime lufte psikologjike, me qëllim krijimin e shqetësimit dhe kaosit në Shqipëri. Këto pretendime nuk kanë bazë dhe nuk bazohen në asnjë fakt”, u shpreh zëdhënësi i kampit 'Ashraf 3'.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)